Përse “E pavarur”?


Hapësira informative në Maqedoni nga sot do të jetë e pasur edhe me një portal të ri informativ, ndërsa së shpejti edhe me gazetë të re të përditshme.

Me një emër të përbashkët “E pavarur” do të tentojmë ti japim fuqi informacionit, duke qenë një media e re që synon sërish të ngrejë në piedestal gazetarinë në vendin tonë.

Përse na duhet “E pavarur”, dhe përse para se gjithash na duhet gazetë, kur shumëkush këtë janë mësuar ta shohin si pjesë e historisë? 

 

Ideja jonë është që të dalim nga gazetaria “copy-paste” dhe të kthejmë këtë profesion tek standardet që e bënë të vlefshëm.

Të bazohemi në fakte në kontekst të një teme, të sqarojmë pasojat dhe ti japim perspektivë çdo ngjarje. Të analizojmë, të komentojmë, të përcjellim, të provokojmë, e gjithë kjo në interes të informimit më të mire dhe qëndrimit kritik të lexuesve, në koherencë me përditshmërinë e tyre.

Të informojmë duke qenë objektiv, të pavarur, me kompetencë, integritet, profesionalizëm dhe kredibilitet, duke i hapur front lufte gazetarisë sipërfaqësore dhe “fake” tek ne dhe më gjerë.

Me ndihmën tuaj si lexues duam që redaksia jonë shumë modeste për nga numri i stafit tone, të jetë në mesin e bartësive të rinjë të ndryshimeve që çojnë drejt një jete më të mirë për të gjithë ne.

Të jemi shembull pozitiv dhe demokratik i kësaj kohe të re që mund të jetë e tillë vetëm me qasje dhe energji të re.

Për këtë qëllim, ju ofrojmë portalin ku mund të informoheni në tre gjuhë: maqedonisht, shqip dhe anglisht. Gjithashtu do të keni në dispozicion perspektivën rajonale, për shkak se pas nesh qëndron një rrjet rajonal i mediave. Së shpejti do të dalim edhe me gazetën e re të përditshme falas, që shpresojmë se do të jetë burim i rregullt dhe i dëshiruar i informimit.

 

Me respekt, redaksia e portalit “Nezavisen.mk”