Termi “20%” duhet të hiqet tani


Robert Nesimi

Këto ditë opinioni në Maqedoni kuptueshëm është preokupuar me lajmin për ikjen e Gruevskit në Hungari. Në të njëjtën kohë si duket është harruar se në Parlament vazhdon procesi i ndryshimeve kushtetuese. Ndërsa gjatë vetë këtij procesi nuk morrën hapësirën e duhur, të paktën në mediumet në gjuhën maqedonasë, kërkesat krejtësisht legjitime dhe racionale të opozitës shqiptare. Ata u hodhën poshtë me nonshalancë pasi nuk gjetën mbështetje tek deputetët tjerë shqiptarë, ata të pushtetit, që sipas logjikës na fliskan në emër të shqiptarëve edhepse të bërë bashkë nuk kanë as votat e gjysmës së shqiptarë. Edhepse ky anashkalim për momentin shkon në dëm të shqiptarëve, në një afat të gjatë ky mund të bëhet problem për gjithë shtetin, sepse len të hapura çështje që tani kishin kohën ideale të zgjidhen. Ndër to do të veçoj sidomos kërkesën tejet të arsyeshme që në kushtetutë termi “gjuha që e flasin të paktën 20% e popullsisë” të zëvendësohet me emrin e saj të vërtetë, “gjuha shqipe”.

Për të kuptuar thelbin e problemit të “20%” duhet të kthehemi te vetë origjina e tij. Termi hyn në fjalorin politik dhe juridik të Maqedonisë me miratimin e amandamenteve kushtetuese në vitin 2002, që dolën si obligime nga Marrëveshja e Ohrit. Njëra nga kërkesat kryesore shqiptare të asaj kohe ishte pikërisht zyrtarizimi i plotë i gjuhës shqipe. Mirëpo pasi amandamentet duhej të votohen në Parlament, u gjet një formulim i cili do të ishte i pranueshëm për deputetët e asaj kohe, një pjesë e mirë e të cilëve nuk mund të pranonin që në kushtetutë të emërohej gjuhë tjetër përpos maqedonishtes. Pasi atëherë “nuk ishte koha” dhe “bëhej fjalë për procese më të mëdha”, me këtë formulim gjithkush do t’a dinte se bëhet fjalë për gjuhën shqipe, por pa e emëruar atë në mënyrë direkte. Pra ishte një kohë shtirjeje kolektive dhe refuzim për t’u përballur me realitetin, gjë që shkaktoi telashe politike në Maqedoni për 16 vitet e ardhshme.

Procesi i zyrtarizimit të gjuhës shqipe duhej të rrumbullakësohej deri në vitin 2006, por përsëri për këtë nuk u gjet “koha e përshtatshme”. Në ndërkohë ngadalë sikur u harrua se çfarë do të thoshte dhe pse u gjet ai formulim i famshëm “20%”. Tezat u kthyen së prapthi. Kështu fillimisht termi “20%” ishte zëvendësim për termin “gjuha shqipe”. Por me kohë termi nisi të lexohet dhe kuptohet si parim bazë, nga i cili pastaj buronte e drejta e përdorimit të gjuhës shqipe. Më vonë ky lexim së prapthi morri edhe bazë juridike, pasi ligje të njëpasnjëshme për përdorimin e gjuhës filluan t’a marrin “20%” si kriter se ku mund të përdoret zyrtarisht gjuha shqipe. Disa elemente ekstremë madje sot e kësaj dite pretendojnë se shqiptarët nuk janë as 20%, me çka kërkojnë që automatikisht të anulohet e drejta e përdorimit zyrtar të gjuhës. Nga pasojë e zyrtarizimit të shqipes, formulimi “20%” kështu u bë gjenezë e saj.

Situata mund të bëhet edhe më qesharake dhe e komplikuar në të ardhmen, si për shembull me propozimin që regjistrimi i ardhshëm i popullsisë të mos bëhet më në baza etnike, por vetëm me evidentim të gjuhës që flitet nëpër shtëpia. Si konkluzë përfundimtare zyrtare të atij regjistrimi mund të kemi për shembull konstatimin se “28% e popullsisë flet gjuhën që e flasin të paktën 20% e popullsisë”. Në nivel lokal, ku shqiptarët janë në vetë pragun e 20%, riformulimi mund të rezultojë me marrjen e të drejtës së përdorimit të gjuhës, rifitimin e saj të sërishëm pas 10 vitesh, e kështu me rradhë. Pa marrë parasysh nëse kjo do të ndodhë vërtetë, vetë fakti se ekziston juridikisht si mundësi reale dëshmon se sa jemi larguar nga koncepti fillestar i marrëveshjes së Ohrit, kur “20%” ishte vetëm një fjalë tjetër e përkoshme për gjuhën shqipe.

Ndoshta edhe më i rëndësishëm se aspekti juridik dhe praktik është fakti se definimi si “gjuhë e 20%” është tejet ofendues për shqiptarët. Siç duket politikanët nuk e kuptojnë apo e nënçmojnë rëndësinë e stërmadhe që ka gjuha shqipe për identitetin kombëtar shqiptar. Ndryshe nga kombet tjera përreth që janë definuar edhe me elemente tjera siç është feja, gjuha shqipe ka qenë dhe është shtylla kurrizore e identitetit shqiptar. Ajo ka qenë pikënisje dhe bartëse kryesore e gjithë procesit të vetëdijësimit dhe formësimit të kombit shqiptar, elementi që i janë refereuar dhe ku janë thirur të gjithë figurat e mëdha shqiptare, qysh nga koha e Rilindjes Kombëtare para 150 viteve. Mu për këtë shqiptarët asnjëherë nuk do të pranojnë që gjuha e tyre të mbetet e paemër dhe e definuar me përqindje, pa marrë parasysh disponimin e tanishëm të disa deputetëve shqiptarë. Kjo çështje mund kohë pas kohe të fshihet në sfond apo të dalë me forcë në sipërfaqe, por kurrë nuk do të mbyllet derisa gjuha shqipe të quhet me emrin e saj të vërtetë. Sa kohë të mbetet e hapur ajo do të vazhdojë të jetë burim mosmarrëveshjes politike, sepse pa përmbylljen e saj qetësi politike në vend nuk do të ketë.

Procesi i marrëveshjes me Greqinë dhe ndryshimeve kushtetuese premton të mbyllë përnjëherë një sërë çështjesh që e kanë munduar vendin tre dekada me rradhë. Mu për këtë tani është momenti ideal që njëherë e mirë të mbyllet edhe çështja e gjuhës shqipe dhe Maqedonia të vazhdojë rrugëtimin euroatlantik pa keqkuptime e mosmarrëveshje të reja. Përndryshe kjo çështje do të mbetet plagë e hapur për shqiptarët, që nuk do ndalen derisa ajo përfundimisht të shërohet. Kërkesa e opozitës shqiptare është tejet e arsyeshme; mungon vetëm vizioni nga deputetët tjerë për të mbyllur këtë çështje njëherë e përgjithmonë.