Pesë konkluza nga referendumi


Robert Nesimi

Përpos implikimeve për marrëveshjen me Greqinë dhe integrimin në BE dhe NATO, rezultatet e referendumit mund të lexohen edhe nga një aspekt i pastër politik. Ata janë prerje e peshës së secilit faktor politik në vend, një vit pas zgjedhjeve lokale. Ja disa konkluza:

1 – Dobësia e LDSM. Me supozimin se shqiptarët dolën në referendum në shifra të njëjta si në dy ciklet e mëparshme zgjedhore, dhe se të njëjtën gjë bënë edhe pakicat, SDSM ka rrënie të votave nga zgjedhjet parlamentare dhe lokale. Varësisht nga numri i saktë i shqiptarëve dhe pakicave që votuan, kjo shifër sillet nga 50.000 deri 100.000 vota. Sido që të jetë, është e qartë se LDSM nuk arriti të motivojë as votuesit e vet, lere më të sjellë tjerë tek kutitë e votimit. Cenzusi vërtetë ishte i lartë, por SDSM-ja duhej të shënojë rezultat më të mirë.

Rezultati i referendumit komplikon matematikën e SDSM për zgjedhjet eventuale parlamentare, qoftë nëse ato mbahen tani ose në pranverë. Me këtë dështim nuk është aspak e sigurtë nëse ajo do të arrijë të përmirësojë pozicionin e saj të tanishëm në Parlament. Prandaj në periudhën e ardhshme do të dëgjojmë thirrje për koalicion të gjërë të të gjitha partive, pa VMRO-në. Kjo nuk është rezultat e ndonjë ideali më të lartë, sa flet për frikën e LDSM-së për t’u përballur vetë me votuesit.

2 – Dobësia e VMRO. As VMRO nuk është në pozitë më të mirë, pa marrë parasysh se çfarë i ndodhi SDSM-së. Mbi 600.000 vota pro marrëveshjes ndoshta ishin pak, por VMRO nuk mund të mblidhte poaq vota kundër as në ëndërr, edhe sikur të ishte angazhuar aktivisht në proces. Mu për këtë ajo preferoi të qëndrojë anash, e pastaj komikisht të tentojë të prezantojë apstenimin si votë për të.

Kur mendon për zgjedhjet e ardhshme VMRO me siguri e di që asnjëherë nuk mund të fitojë më shumë vota se kampi “Për”. Pa u zgjidhur problemi i emrit ajo nuk ka asçfarë potenciali për koalicionim dhe me siguri prapë do t’a gjejë veten në opozitë. Prandaj në këtë kohë ajo nuk do vërtetë zgjedhje, ndërsa propozimet e saja për dalje nga kriza janë vetëm tentime për të blerë kohë. Përkundër spineve mediatike, asaj i ra dorë e keqe letrash, apo dorë që nuk di si t’a luajë.

3 – Asgjë e çuditshme të blloku shqiptar. Sot shqiptarët akuzohen njësoj nga të dy palët. Kampi “Për” është i pakënaqur ngase priste dalje më të madhe të tyre, ndërsa kampi “Kundër” mendon se megjithatë në referendum dolën tepër shqiptarë dhe se në fakt bëhet fjalë për mbushje kutish.

Por nëse krahasojmë daljen te qendrat e popullsisë shqiptare, ajo sillet diku mes zgjedhjeve lokale dhe parlamentare. Kjo përkthehet në 220.000 deri 250.000 vota. Në disa vende dalja vërtetë duket e lartë, por këta janë kryesisht vendbanime të vogla rurale. Edhe nëse ka patur mbushje kutish, numri total nuk duket të jetë shumë i lartë, sigurisht jo 50.000 që pretendojnë disa analistë pro-VMRO.

Megjithatë ja vlen të numërojmë këto vende: Likova, Haraqina, Studeniçani, Saraj dhe Plasnica. E përbashkëta e këtyre vendeve është dominimi absolut i BDI-së (në Studeniçan bashkë me PDSH-në) karshi partive tjera shqiptare. Pra del se problem për t’i nxjerrë votuesit në vendvotime në fakt ka patur BDI dhe jo partitë opozitare shqiptare. Larg nga shtysa e pritur për BDI-në, referendumi nxorri në pah pikat e dobëta të saj. Prandaj BDI nuk është kushedi sa e ngazëllyer nga mundësia për zgjedhje të shpejta, ndërsa nëse ato megjithatë mbahen, ajo mund të kërkojë përsëri shpëtim te gjiri i SDSM.

4 – Dështimi i bashkësisë ndërkombëtare “lokale”. Bashkësia ndërkombëtare, term me të cilin nënkuptohen BE, NATO dhe vendet anëtare, tërhoqën potezat e duhur dhe dërguan porositë e duhura për referendumin. Nëse dikush ende ka patur dilema, u bë e qartë se marrëveshja për emrin është parakusht për integrimet, ndërsa refuzimi i saj do të thotë izolim ndërkombëtar i Maqedonisë. Përfaqësuesit e lartë politikë dhe diplomatikë që vizituan vendin muajin e fundit i dhanë peshë akoma më të madhe kësaj porosie.

Megjithatë ky nivel i lartë angazhimi në Maqedoni nuk dha rezultat. Një pjesë e fajit sigurisht qëndron te partitë e pushtetit. Por faj të njëjtë kanë edhe përfaqësuesit lokalë të këtyre institucioneve dhe vendeve, të ashtuquajturit bashkësi ndërkombëtare “lokale”. Është e qartë se këta diplomatë të rangut të tretë e të katërt, që në njërën bombë ish-ministri i financave Stavrevski i pat quajtur “mbeturina të korruptuara”, nuk kanë aftësitë dhe karakterin për të qenë përfaqësues të denjë të një Perëndimi të ndritur. Thellë në vete ata kanë mentalitetin e politikanëve elitistë “të saloneve” dhe nuk është aspak për t’u çuditur që aktivitetet e tyre nuk kanë asnjë lidhje me njeriun e thjeshtë që duhej të dilte e të votonte. Pas referendumit ka ardhur koha që bashkësia ndërkombëtare të rishqyrtojë qasjen dhe të bëjë rivlerësim të stafit të saj në Maqedoni.

5 – Dilema ekzistenciale e VMRO. Për fund, referendumi dhe procesi i zgjidhjes së problemit me emrin ka sjellë VMRO-në në udhëkryq ekzistencial. Çfarëdo të thuhet për SDSM-në, ajo parti veçmë ka formuar një identitet të hapur të një partie proeuropiane. E njëjta nuk mund të thuhet për VMRO-në. Deri më tani ajo ka mbajtur paralelisht dy identitete. Me retorikë ajo është shprehur si parti proeuropiane, por në realitet është sjellur si parti nacionaliste e cila në vazhdimësi ka minuar prospektet e vendit për integrim në NATO dhe BE.

Kjo qasje është toleruar nga domosdoshmëria kur ajo ishte në pushtet, ndërsa gati një vit e gjysmë më pas ju la hapësirë të reformohet. Ky tolerim mbaron tash. Tani kur vendi është në udhëkryq VMRO duhet njëherë e përgjithmonë të vendosë se cili është identiteti i vërtetë i saj. Ajo mund të zhbllokojë procesin e ratifikimit të marrëveshjes, të pajtohet me faktorin ndërkombëtar dhe partitë tjera në vend, e kështu të tentojë të fitojë zgjedhjet e ardhshme dhe të formojë qeveri. Ose mund të vazhdojë të minojë marrëveshjen, të bëhet parti e pastër nacionaliste dhe të harrojë BE-në e NATO-n. Në atë rast ajo do të mbyllë dyert e bashkëpunimit me partitë tjera dhe do të ngelet përherë e vetmuar dhe në opozitë, derisa të shpërbëhet si parti.

Përkundër perceptimit të sotëm, referendumi ka mbështetur VMRO-në me shpatulla për muri më tepër se këdo tjetër. Ajo përballet me dilemë ekzistenciale si asnjëherë më parë në historinë e saj.