Nesimi: Ligji i ri nuk mbyll çështjen e gjuhës

1. Javën e kaluar Parlamenti miratoi ligj të ri për përdorimin e gjuhëve në Republikën e Maqedonisë. Në thelb ligji është plotësim i disa ligjeve të mëparshme, të miratuar rregullisht pas zgjedhjeve parlamentare nga viti 2008 e këndej. Si ligjet e mëparshme, dhe në përgjithësi të gjithë ligjet që kanë dimension etnik, reagimi ndaj këtij ligji ndjek skenarin e zakonshëm. Nga njëra anë tek publiku maqedonas vërejmë zemërim, akuza tradhëtie dhe përhapje frike se ligji i jep fund Maqedonisë ashtu siç e njohim. Në pjesën shqiptare eufori për kushedi çfarë arritje, vetëlavdërim dhe rrahje gjoksi të politikanëve për punën që bëjnë për interesat kolektive të votuesve të tyre. E përbashkëta, dhe njëkohësisht shqetësuesja, e politikanëve të të dyja palëve është qëndrimi se me këtë ligj çështja e gjuhës zgjidhet njëherë e përgjithmonë. Të tre qëndrimet janë të gabuara. Së pari maqedonasit nuk kanë pse të kenë frikë, e dyta shqiptarët nuk kanë arritur kushedi çka dhe e treta ky ligj nuk mbyll çështjen e gjuhës. Përkundrazi e gjitha duket si teatër dhe kurdisje për keqkuptime të reja tani dhe në të ardhmen, ashtu siç ka ndodhur kushedi sa herë më parë.

2. Opinioni maqedonas, për fat të keq, assesi të heq dorë nga ndjenja se gjithçka shqiptare është kërcënim. Çfarëdo avancimi i të drejtave kolektive të shqiptarëe, punë që duhej të ishin bërë para njëzet viteve, automatikisht vazhdon të shihet si humbje për palën maqedonase. Kështu ishte me legalizimin e Universitetit të Tetovës, kështu është edhe tani. Zakonisht situatat e këtilla janë mundësi e mirë për opozitën të poentojë me akuza për tradhëti kombëtare, e kjo bëhet edhe më lehtë kur opozitë është pikërisht VMRO-ja “patriotike”. Si zakonisht, pjesa maqedonase e qeverisë fshihet dhe arsyetohet me precedentët që ka bërë opozita e tashme kur ka qenë në pushtet. Prandaj edhe SDSM-ja “progresive”, e cila duhej të lavdërohet me inkluzivitetin e ligjit të ri, ndjen nevojë të merr qëndrim defanziv me arsyetimin se VMRO ka bërë të njëjtën gjë kur ka qenë në pushtet, sikur bëhet fjalë për ndonjë krim. Ndërsa më e keqja është se të dy palët duken të bindura se për të mirë a për të keq, ky ligj vulos njëherë e përgjithmonë çështjen e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe. Me këtë ata që përpara vendosin vija të kuqe se çfarë qëndrimesh mund të marrin shqiptarët në të ardhmen, e dorën në zemër këtu faj të barabartë kanë edhe partitë shqiptare, sidomos BDI.

3. Nga ana tjetër politikanët shqiptarë nuk mund të rreshtin së përdoruri madje edhe këto suksese të vogla për përfitime të tyre politike. Ka plasur lufta në të gjitha anët për çështjen se kush është më meritori për “fitoren” e këtillë, ndërsa këtë rradhë shansin nuk e lëshoi as Edi Rama me partinë e tij socialiste. Në publik plasohet eufori dhe triumfalizëm i panevojshëm, edhepse ajo që është arritur është larg nga pritjet kur u nënshkrua marrëveshja e Ohrit dhe ajo që përcakton dhe lejon kushtetuta. E me këtë dëmtohet avancimi i mëtutjeshëm i përdorimit të gjuhës, sepse me këtë eufori e triumfalizëm krijohet atmosferë sikur qëllimi veçmë është arritur. Më e keqja është se BDI këtë herë e thotë këtë drejtëpërdrejtë, me pretendime për rrumbullakësim përfundimtar të marrëveshjes së Ohrit dhe çështjes së gjuhës. Andaj, njëlloj si SDSM dhe VMRO, edhe ajo merr të drejtë të vendosë vija të kuqe për kërkesat e shqiptarëve në të ardhmen.

4. Çelësi i keqkuptimeve të tashme dhe të ardhme, ku faj të njëjtë kanë politikanët e të dy palëve, është injorimi i faktit se shqiptarët asnjëherë nuk do t’a pranojnë këtë ligj si fjalë të fundit në temën e përdorimit të gjuhës. Po ua lë juristëve të numërojnë mangësitë dhe kufizimet e këtij ligji kundrejt përdorimit zyrtar të shqipes; për krahasim vetëm do kisha përmendur statusin ku e ku më të avancuar të serbishtes në Kosovë. Lënë anash mangësitë juridike, është fakt se shqiptarët asnjëherë nuk do të pajtohen që gjuha e tyre të mbetet pa emër; të trajtohet si magji e zezë që assesi nuk guxon të shqiptohet. Thënë më thjeshtë shqiptarët kurrë nuk do të pranojnë që gjuha e tyre njëherë e përgjithmonë të emërtohet “gjuhë që e flasin të paktën 20% e popullatës”, në vend që të quhet shkurt e qartë “gjuha shqipe”. E duke patur parasysh problemin me emrin e shtetit, ata me plot të drejtë presin mirëkuptim nga bashkëqytetarët maqedonas. Si viktima të shantazheve të pakuptimta ndaj emrit të tyre, maqedonasit duhet lehtë të kuptojnë ndjenjat e shqiptarëve kur ju mohohet e drejta t’a quajnë gjuhën e tyre me emrin e saj të vërtetë.

Pra edhepse ligji i ri është hap përpara në përdorimin e gjuhës, ai nuk është zgjidhje përfundimtare, siç mundohen t’a paraqesin politikanët. Pengesat ligjore, siç është ndryshimi i kushtetutës, janë krejtësisht të parëndësishme para faktit të thjeshtë që shqiptarët kurrë nuk do të pranojnë gjuha e tyre të ngelet pa emër. Ca politikanë, në rradhë të parë nga blloku maqedonas së bashku me BDI-në, kanë marrë të drejtën të shpallin ligjin e ri si zgjidhje përfundimtare të kësaj çështje. Me këtë ata tentojnë që përpara të përcaktojnë se çfarë qëndrimesh mund e s’mund të marrin shqiptarët në të ardhmen, sikur bota të fillojë e mbarojë me ta. Por ky ligj mbetet ai që është në të vërtetë: një marrëveshje mes politikanëve për çështje të caktuar në kohë të caktuar. Ai nuk mund të obligojë askënd t’a pranojë si diçka të shenjtë dhe finale që asnjëherë s’mund të ndryshohet. Prandaj çështja e gjuhës mbetet çështje e hapur, i pëlqen apo s’i pëlqen dikujt, pa marrë parasysh etiketat “nacionaliste” që do t’i ngjiten dikujt në të ardhmen, kur çështja do të hapet përsëri si kërkesë legjitime politike.

Robert Nesimi