Tramp e njohu Rrafshnaltën e Golanit si territor të Izraelit

Presidenti amerikan, Donald Tramp sot nënshkroi dekret me të cilin zyrtarisht e njohu sovranitetin izraelit mbi Rrafshnaltën e Golanit, të cilën Izraeli e ndërmori nga Siria gjatë Luftës arabo-izraelite në vitin 1967.

“Kjo përgatitej për një kohë të gjatë. Kjo duhej të ndodhë para shumë dekadash”, deklaroi Tramp derisa e nënshkruante dekretin në Shtëpinë e Bardhë në prani të kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu, duke shtuar se marrëdhëniet midis SHBA-së dhe Izraelit “asnjëherë nuk kanë qenë kaq të fuqishme” siç janë tani.

Netanjahu, nga ana e tij, deklaroi se kjo “është ditë me të vërtetë historike”, duke theksuar se Izraeli asnjëherë nuk do të heqë dorë nga Rrafshnalta e Golanit.

Tramp që javën e kaluar në Tuiter publikoi se ka ardhur koha SHBA-ja ta njohë sovranitetin izraelit ndaj Rrafshnaltës së Golanit.

“Pas 52 vitesh, është koha SHBA ta njohë tërë sovranitetin izraelit ndaj Rrafshnaltës së Golanit, e cila është me rëndësi kryesore strategjike dhe të sigurisë për Shtetin e Izraelit dhe për sigurinë rajonale”, publikoi Tramp të enjten.

Që nga paralajmërimi i Trampit për njohjen e mundshme të Rrafshnaltës së Golanit si territori izraelit, të premten doli me deklaratë zëdhënësja e përfaqësueses së lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Federika Mogerini, Maja Kocijançiq, e cila deklaroi se Bashkimi Evropian nuk e njeh këtë rajon si pjesë e Izraelit.

“Pozita e BE-së nuk është e ndryshuar. Bashkimi Evropian, në pajtim me të drejtën ndërkombëtare, nuk e njeh sovranitetin e Izraelit mbi territoret e okupuara në vitin 1967 duke e përfshirë e Rrafshnaltën e Golanit dhe nuk i konsideron si pjesë e territorit izraelit”, deklaroi Kocijançiq.

Izraeli e ndërmori kontrollin ndaj Rrafshnaltës së Golanit gjatë Luftës gjashtëditore arabo-izraelite, që zgjati prej 5 deri më 10 qershor 1967. Pas kësaj Izraeli në vitin 1981 shpalli anektimin e Rrafshnaltës së Golanit, që nuk u pranua nga bashkësia ndërkombëtare.