Shiringa me bojë nën këndvështrimet e Berishës dhe Ramës, Paloka nën hetim

Incidentet nuk munguan madje ishte edhe më të rënda sot në Kuvend, ndonëse politika bashkoi votat teksa Parlamenti i Shqipërisë ratifikoi sot protokollin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO. Në një seancë ku merrte pjesë edhe kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferri, ndoshta u shënua një ndër incidentet më të rënda, çka u shoqërua me akuza të ndërsjella, pas mbylljes së punimeve.
Deputeti i PD-së, Edi Paloka, në një moment kur kryeministri i kërkoi falje kreut të Kuvendit të Maqedonisë, për sjelljen e liderit të opozitës, Edi Paloka u ngrit dhe iu afrua duke e spërkatur me bojë me anë të një shiringe Edi Ramën.

“Një përgjigje me mosbindje civile sharësit të lindur!,” – u shpreh ish-kryeministri Sali Berisha, pas incidentit, duke e shoqëruar edhe me foto, si dhe shtoi:“Braçe dhe Eliza “mbrojnë” Skenderbuçin kur nënkryetari i Kuvendit, deputeti Paloka e nxinë me bojë duke e spërkatur me shiringë!”

Kryeministri Edi Rama, ka reaguar, duke e cilësuar veprimin e Palokës, si pjesë të një budallallëku pa kufi, që karakterizon atë dhe opozitën.

“Dy gjëra janë të pafundme, universi dhe budallallëku i njeriut”, shkruante Albert Ainshtajni, përpara se sa opozita në Shqipëri të merrte formën e një Budallallëku Universal, që vizion ka Vezën e Lulit, ide ka Çizmen e Doktorreshës dhe program ka Bojën e Palothës,” nënvizoi Rama.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar po ashtu pas incidentit edhe shiringën, me të cilën Edi Paloka e sulmoi në seancën e sotme parlamentare.

“Penda e mendimtarit E.Th.Palotha pas një derdhjeje të fuqishme mendimesh mbi rolin e opozitës në zhvillimin e vendit.”

Të shumta kanë qenë edhe reagimet e deputetëve socialistë, të cilët kanë publikuar shiringën dhe kanë ironizuar veprimin e Palokës. Sikurse nga ana tjetër opozitarët e kanë cilësuar veprimin e Palokës, si veprim njerëzor ndaj “sjelljes së kryeministrit Rama kundrejt opozitës.

Deputeti demokrat Edi Paloka, pasi i hodhi shiringën me bojë në drejtim të kryeministrit, reagoi duke thënë se nuk ishte hakmarrja e tij personale por e të gjithë shqiptarëve.

“Nuk ke parë asgjë akoma. Ky është vetëm fillimi i 16 shkurtit.”

Paloka u përjashtua për veprimin e tij, por ai shpërfilli dënimin.

“Nuk më përjashton Gramozi. Nuk ishte hakmarrje e Palokës por e shqiptarëve që përditë vidhen nga një kryeministër arrogant. Nuk më intereson fakti që është nisur procedim penal.

Sakaq, për veprimin sot në Kuvend, ka nisur procedimi penal ndaj Edi Palokës.

“Sot, në sallën e seancave të Kuvendit të Shqipërisë, deputeti Edi Paloka ka sulmuar me një solucion kimik të parapërgatitur Kryeministrin e Shqipërisë, z. Edi Rama. Garda e Republikës me mbështetjen e strukturave të specializuara të Policisë së Shtetit ka nisur hetimet e menjëhershme për agresionin e kryer në sytë e të gjithëve dhe gjithashtu procedimin penal kundër shtetasit Edi Paloka”, informon ministria e Brendshme.

Aranit Muraci

Albanian Free Press