Përgjaket Rripi i Gazës, vriten 52 palestinez


Rripi i Gazës u shndërrua sot ne një shesh beteje të vërtetë.

Të paktën 52 palestinezë u vranë dhe 2400 të tjerë u plagosën nga trupat izraelite, në masakrën më të përgjakshme që nga lufta në vitin 2014. Mes tyre numërohen edhe shumë gra e fëmijë.

Tensionet erdhën si pasojë e hapjes së ambasadës amerikane në Jeruzalem, një veprim që ka zemëruar palestinezët. Ushtarët izraelitë përdorën edhe snajperë si dhe të gjitha mjetet në dispozicion për t’i mbajtur protestuesit larg nga territori izraelit.

Qeveria palestineze denoncoi dhunën si një “masakër të tmerrshme” të kryer nga forcat pushtuese izraelite dhe kërkoi një ndërhyrje të menjëhershme ndërkombëtare për të parandaluar vdekjet e mëtejshme.

Dita e nesërme për palestinezët shënon përkujtimin e largimit me dhunë nga shtëpitë e tyre gjatë themelimit të shtetit të Izraelit dhe që festohet mes izraelitëve si Dita e Pavarësisë.

Demonstrime të mëdha priten të shënojnë ngjarjen e 15 majit, e cila mbyll tubimet gjashtë javore të palestinezëve./vizion plus