Franca dhe Gjermania për ushtri të përbashkët: “Erdhi koha për përforcim të Evropës”


Franca dhe Gjermania sot u zotuan për armatë të përbashkët evropiane duke porositur se mbrojtja në Evropë nuk guxon të varet nga SHBA-ja.

BE vitin e kaluar vendosi themelet për Bashkim Evropian të Mbrojtjes, ndërsa dy anëtaret e rëndësishme Gjermania dhe Franca me kohë dëshironin të shndërroheshin në ushtri të përbashkët të aftë për mbrojtjen e kufijve evropian dhe pjesëmarrje në misionet ndërkombëtare.

“Dëshirojmë të mbetemi transatlantik, por më shumë evropian”, theksoi ministrja gjermane e Mbrojtjes, Ursula fon der Lajen, në konferencën për mbrojtje në Munih.

“Duam që të punojmë në ushtrinë e Evropës. Evropianëve ju nevojitet Evropë e cila do t’i mbrojë qytetarët e saj”, shtoi ajo.

Homologia e saj franceze, Folarans Parli potencoi se aleanca me SHBA-në veçanërisht në NATO, nuk ka çmim, por se ka ardhur koha për përforcim të Evropës.

“Evropa nuk është luks, por detyrë. Por, ia lamë burokratëve dhe tiranisë në konsensus… Koha është për t’u zgjuar, duhet ta gjallërojmë atë fjalë të mirë – Evropë”, theksoi ajo.

Sipas saj, suksesi i mbrojtjes evropiane nuk qëndron në institucionet por në mendimet e saj konkrete.

“BE-ja duhet të jetë e aftë që të intervenojë pa e thirrur në ndihmë SHBA-në”, theksoi ministrja franceze