Zekiri: Gjithsej 57 kandidatë për në antikorrupsion


Gjithsej 57 kandidatë do të jenë në procesin e zgjedhjes së komisionit shtatë anëtarësh të antikorrupsionit.

Kryetari i Komisionit për përzgjedhjen e kandidatëve, deputeti Muhamed Zekiri sot në Kuvend deklaroi se procedura e intervistimit të kandidatëve e cila do të jetë publike, do të fillojë nesër, ndërsa duhet të përfundojë të mërkurën më 6 shkurt. Secili kandidat do të ketë kohë prej 30 minutash që të përgjigjet në pyetjet që do ia parashtrojnë anëtarët e Komisionit për përzgjedhje, si dhe anëtarë të ASHAM, Avokati i Popullit, gazetarë, aktivistë civil të cilët janë paraqitur të jenë pjesë e këtij procesi të intervistimit.

Tërë procedura e zgjedhjes së Komisionit shtetëror për parandalimin e korrupsionit duhet të rrumbullaksohet më 8 shkurt me votim në seancë plenare në Parlament.

“Planifikojmë gjithçka të përfundojmë me punë deri të mërkurën pas të cilës do t’i japim kohë Komisionit për zgjedhje dhe emërime t’i kalojë kandidatët të cilët do të zgjidhen dhe do t’i japim kohë kryetarit të Kuvendit të thirr seancë plenare në të cilën duhet të votohen anëtarët e propozuar”, tha Zekiri.

Të gjitha intervistat do të incizohen dhe emitohen në kanalin e kuvendit, që të mos vendosen në pozitë jo të barabartë kandidatët të cilët do të intervistohen të parët, prej ato që do të intervistohen më vonë.

Ndryshe, kjo është hera e parë që përbërja e Komisionit për luftë kundër korrupsionit  të bëhet në këtë mënyrë, në rrugë të intervistimit, në pajtim me ndryshimet e fundit ligjore.

Në konkursin për zgjedhjen e anëtarëve të Antikorrupsioni kanë arritur 80-të aplikime. Prej tyre në filtrimin e parë kanë rënë 21 kandidatë për shkak mospërmbushjes së kushteve për arsim apo dokumentacion jo i plotë, ndërsa një vet i ka tërhequr dokumentet. Pas shqyrtimit të sotëm në procedurë kanë mbetur aplikimet e 57 kandidatëve.