Zaharieva: Kushti ynë për Shkupin gjithmonë është marrëdhënie të mira fqinjësore


 Mbështetja jonë për eurointegrimin e Maqedonisë së Veriut asnjëherë nuk ka qenë pa kusht – ka një kusht shumë të qartë, ndërsa ai është marrëdhënie të mira fqinjësore, deklaroi zëvendëskryeministrja dhe shefe e Diplomacisë së Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva.

“Nuk ekziston mënyrë të synoni të bëheni anëtare e BE-së dhe të keni marrëdhënie bilaterale të pazgjidhura. Ai nuk është vetëm kriteri bullgar, por një nga kriteret për anëtarësim në BE – marrëdhënie të mira fqinjësore dhe miqësore”, tha Zaharieva në deklaratë për TV Nova bullgare.

Sipas saj,  pjesa historike mes Shkupit dhe Sofjes është çështje më e rëndë nga kontesti për emrin  që ishte zgjidhur me Marrëveshjen e Prespës.

“Marrëveshja e Prespës është bilaterale. Nuk është lehtë të ndërrohet emri i vendit tuaj, por pjesa historike mes Bullgarisë dhe Maqedonisë është më e rëndë. Tërë identiteti dhe historia e ekzistimit të Republikës të Maqedonisë së Veriut nga viti 1944 është themeluar  në disa pjesë të historisë sonë të përbashkët”, theksoi Zaharieva.

Ajo thotë se Marrëveshja për miqësi  në të cilën është parashikuar bashkëpunimi në ekonomi, turizëm, lidhje infrastrukturore, kulturë, arsim,..,jep rezultate.

“Pas nënshkrimit të Marrëveshjes për fqinjësi të mirë, vetëm për nëntë muaj këmbimi tregtar është rritur për 13 për qind,  por do të dëshiroja të shoh më shumë mediume bullgare në Maqedoni. Në fushën e Kulturës organizohen festivale të përbashkëta, shfaqje teatrore dhe etj. Në dispozicion janë mjetet  për Korridorin 8. Për fat të keq, nevojitet kohë. Së shpejti do të fillojë edhe zgjerimi i vendkalimeve kufitare. Qëllimi është nga Sofja në Shkup të arrihet për dy orë e gjysmë dhe njerëzit të jenë së bashku. Megjithatë nuk duhet ta nënvlerësojmë historinë”, deklaroi Zaharieva.

Por, thekson shefja e diplomacisë bullgare, për t’u zgjidhur çështjet e hapura nuk do të ndihmojë  as diplomacia e fortë dhe as e butë, por duhet të ketë ekuilibër dhe bashkëpunim.