Zaev: Ziadin Sela nuk do të jetë pjesë e qeverisë

Nuk ka mundur të arrijë marrëveshje për të futur kryetarin e ASH-së, Ziadin Selën në qeveri. Kështu ka thënë Kryeministri Zoran Zaev duke konfirmuar se Sela nuk do të jetë pjesë e Qeverisë, pasi që propozimet për ministra tashmë janë dërguar në Kuvend.

Ai këtë e ka theksuar në intervistën me gazetarin Borjan Jovanovski në TV Telma, duke folur lidhur me koalicionin qeverisës, transmeton INA.
Zaev shtoi se pas shumë përpjekjeve nuk ka arritur gjuhë të përbashkët me kreun e Aleancës për SHqiptarët për ministrinë e shëndetësisë dhe këmbimin e saj me postin e zv/kryeministrit për reforma.

Pyetjes nëse i vjen keq që po e largon një partner me të cilin ishte bashkë natën e 27 prillit, ai iu përgjigj se ndjen keqardhje, por mjerisht nuk ka mundur të gjejë marrëveshjen dhe se për këtë ka pritur gjatë.