VMRO-DPMNE tani për tani pa agjendë për ditën e referendumit

Sekretari i përgjithshëm i VMRO-DPMNE-së, Igor Janushev mbrëmë gjatë një takimi me anëtarësinë në Shtip ka theksuar se nuk kanë agjendë, por as plan se ku do të ndodhet udhëheqësia partiake dhe çfarë do të ndodh në parti më 30 shtator.

Në prani të deputetëve, udhëheqësisë së Komitetit Komunal dhe antëarësisë së gjerë, Janushev tha se ka ardhur që të bisedojë për “marrëveshjen e dëmshme me Greqinë”. Në pyetjen e anëtarëve se çfarë është më e mirë për to që të bëjnë në referendum, Janushev e rikujtoi qëndrimin e partisë.

“Qëndrimi ngelet i njëjtë dhe çdokush nga ju është mjaftueshëm i vetëdijshëm dhe i mençur që të kuptojë se çfarë po ndodhë në Maqedoni, dhe se ky nuk është referendum për Evropë dhe NATO, por ky është referendum për ndryshimin e emrit, gjuhës maqedonase, kulturës dhe traditës. Çdokush nga ju, duke e shfrytëzuar mendjen e shëndoshë, dhe duke e dëgjuar zemrën, do të vendosni se si do të veproni më 30 shtator”, tha Janushev.

Përndryshe, më 10 shtator zyrtarisht filloi fushata për referendumin, bartës i të cilës është Kuvendi i Republikës së Maqedonisë. Në fushatën e Kuvendit do të kyçen 71 deputetë nga të gjitha grupet parlamentare, me përjashtim të partisë opozitare të VMRO-DPMNE-së.

Referendumi do të mbahet më 30 shtator, ku qytetarët e Maqedonisë do të përgjigjen në pyetjen: “A jeni për anëtarësim në NATO dhe BE me pranimin e marrëveshjes me Greqinë?”.