U shpërblyen kompanitë me praktika më të mira shoqërore


Po rritet numri i kompanive në Maqedoni të cilat zbatojnë praktika me përgjegjësi shoqërore, por kjo duhet të bëhet standard i pranuar në përgjithësi. Ky koncept i ndërmarrjeve u solli edhe fitim edhe ua rriti konkurrencën, u porosit sot gjatë edicionit të dhjetë të ndarjes së “Çmimit nacional për praktika më të mira me përgjegjësi shoqërore në vitin 2017”. “Gëzon fakti që gjithnjë e më tepër kompani në Maqedoni janë vetëdijësuar se me investimin në përgjegjësinë shoqërore, investojnë në konkurrencën e vet më së shumti për shkak se këto praktika u bënë praktikë dhe parakusht për punë dhe eksport në tregjet e huaja, posaçërisht në tregun e BEsë”, tha në fjalimin e tij kryeministri Zoran Zaev. Sipas tij, nëse ndonjë kompani dëshiron të realizojë fitim, duhet të kujdeset edhe për ambientin, shoqërinë dhe për bashkësinë në të cilën e realizon biznesin e vet. Kompanitë të cilat zbatojnë përgjegjësi koorporuese dhe shoqërore, vërejti, kanë dy deri tre për qind fitim më të madh se konkurrentët e tyre. Në konkursin vjetor për çmimin u paraqitën gjithsej 34 projekte, 10 të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, ndërsa 24 të ndërmarrjeve të mëdha. Pjesa më e madhe e ndërmarrjeve që aplikojë janë nga sektori shërbyes, sektori financues dhe ai i TI-së, ndërkaq më të shumta ishin aplikimet me projekte në kategorinë “Investim në bashkësi”. Këtë vit për herë të parë aplikuan tetë ndërmarrje, apo 32 për qind e numrit të përgjithshëm, që sipas ministrit të Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, flet se interesi i ndërmarrjeve për pjesëmarrje në çmimin prej vitit në vit po rritet. “Kjo tregon se koncepti i përgjegjësisë shoqërore bëhet pjesë përbërëse e punës së subjekteve përgjegjëse në Maqedoni sipas shembullit të atyre evropiane”, tha Bekteshi.