Timonie: Për momentin më me rëndësi është të zbatohen me sukses zgjedhjet presidenciale


Ambasadori francez në vend, Kristian Timonie, sot pas përfundimit të hapjes solemne të stërvitjes “Identifikimi i prejardhjes së zjarrit-fatkeqësi apo vepër penale” duke u8 përgjigjur në pyetje të gazetarëve nuk dha përgjigje të qartë nëse konsideron se Maqedonisë i nevojiten zgjedhje të parakohshme tani, së bashku me ato presidencialet.

Por, megjithatë ai përmendi se më me rëndësi për vendin, për momentin, është t’i zbatojë me sukses zgjedhjet presidenciale, sepse sipas mënyrës në të cilën do ta bëjë atë, do të vlerësohet edhe integrimi i saj i mëtutjeshëm në BE.

“Zgjedhjet e parakohshme nuk janë temë e ngjarjes së sotme, zgjedhjet e parakohshme nuk kontribuojnë dhe nuk kanë rol në zhvillimin e mbrojtjes civile. Unë konsideroj se gjërat duhet të lihen të zhvillohen sipas rrjedhës së vet. Ka tema më të rëndësishme se kjo që sot ju e hapët, por më me rëndësi për momentin është të zbatohen me sukses zgjedhjet presidenciale, ndërsa mënyra në të cilën do të zbatohen, do të jetë një hap më afër inkuadrimit tuaj në BE”, theksoi Timonie duke u përgjigjur në pyetje të gazetarëve.