Të burgosurit e Idrizovës në grevë urie, kërkojnë amnisti


Të burgosurit në burgun e Idrizovës kanë filluar me grevë urie për shkak se nuk janë të përfshirë në ligjin e amnistisë që po përgatitet. Për këtë ata e kanë informuar drejtorinë e burgut. Përmes një letre kanë theksuar se do të jenë më rigoroz nëse Qeveria nuk përgjigjet në kërkesën e tyre për amnisti të përgjithshme.

“Fillojmë me grevë paralajmëruese dy ditore sepse edhe krahas të gjithë kërkesave deri te Qeveria dhe kryeministri, deri tash nuk morëm asnjë përgjigje në lidhje me ligjin për amnisti që është duke u përgatitur. Kërkojmë amnisti të përgjithshme për të gjitha veprat që i lejon Kushtetuta, gjithashtu edhe statusin të dënuarve të përjetshëm të ndryshohet në numër sipas ligjeve evropiane. Nëse në dy ditët në vijim nuk marrim përgjigje pozitive nga ana e Qeverisë dhe trupit punues për pajtim, do të vazhdojmë me grevën e urisë dhe do të organizojmë protesta paqësore me familjet tona para Qeverisë, thuhet në letrën e dërguar deri te drejtori i “Idrizovës”, Bobi Mojsoski.

E ajo që të burgosurit në burgun e Idrizovës i mllefos më tepër është nga fakti se do të lirohen nga faji vetëm të dyshuarit dhe personat e dënuar që hyrën në Kuvend më 27 prill vitin e kaluar.

Nga ana tjetër edhe përkundër faktit se të burgosurit kanë filluar me grevë urie kryeministri Zoran Zaev  ka theksuar se nuk do të ketë amnisti të përgjithshme.