Taravari: Në shkollat e Gostivarit po punësohen ushtarët partiak të BDI-së


Kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari, në konferencën e sotme për shtyp, i bëri publike problemet me të cilat ballafaqohen shkollat komunale për shkak të menaxhimit të pandërgjegjshëm dhe obstruksioneve nga ana e drejtorëve të cilët janë emëruar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Ai mendon “se marrja e ingerencave në fushën e arsimit ka pasur për qëllim punësimin e ushtarëve partiakë të BDI-së”.

“Dëshmova me argumente se këta persona dokumentet zyrtare i dërgojnë në selinë e partisë. Andaj u bëjmë thirrje Inspektorati të arsimit, Inspektoratit të Punës dhe Prokurorisë, të cilët edhe zyrtarisht me shkrim i kemi njoftuar paraprakisht, që të marrin masa dhe të shohim se kush janë këta njerëz që u mbajnë mësim nxënësve të Gostivarit, dhe nëse këto persona i kanë licencat e nevojshme”, potencoi kryetari Taravari në konferencën e sotme për shtyp.

Ai si problem e përmendi edhe rastin me të cilin para vitit të ri shkollor janë përjashtuar pa të drejtë nga puna 35 mësimdhënës, ndërsa në vendin e tyre kanë punësuar njerëz të cilët nuk janë të paraqitur në Agjencinë për Punësim dhe nuk kanë sigurim pensional dhe shëndetësor.

Ai, gjithashtu, shpalosi edhe problemet rreth transportit të organizuar të nxënësve në disa shkolla fillore dhe të mesme.

“Disa drejtorë të dhunshëm që shpallën tender për transportin publik, të shkollave: Ismail Qemali, Bashkimi, teknikja dhe mjekësia, ende nuk e kanë kryer tenderimin, vetëm e kanë shpallur, edhe atë, pa mos pasur mjete në buxhetin e tyre dhe kjo flet qartë se tash nxënësit kanë mbetur pa transport. Ne si Komunë edhe pse nuk e kemi për obligim, do të intervenojmë me të vetmin qëllim që këta nxënës të mos mbeten pa transport”, shtoi Taravari.

Në fund, kryetari i komunës së Gostivarit, si shembull konkret për obstruksionet e ndryshme që i bëjnë drejtorët e dhunshëm, e ceku një sipas tij, “paradoks”, ku siç tha, drejtori i SHF “Ismail Qemali” refuzon që Komuna t’ia paguajë faturat e rrymës elektrike, pa i paguar edhe të gjitha borxhet e tjera të krijuara në shkollën që ai drejton.