Takim Zaev dhe Mickovski: Nevojitet pjesëmarrje e opozitës në proceset reformuese

Kryeministri Zoran Zaev, sot pasdite në Qeveri u takua me Hristian Mickovskin, kryetarin e ri të VMRO-DPMNE-së, ndërsa takimi, siç informojnë nga shërbimi qeveritar për shtyp, u realizua përmes dialogut konstruktiv, edhe pse për disa nga temat janë shprehur mendime dhe qëndrime të ndryshme të dy bashkëbiseduesve.

Kryeministri Zaev dhe kryetari i VMRO-DPMNE-së, Mickovski, u dakorduan se nevojitet pjesëmarrje e opozitës në proceset reformuese.

Bashkarisht u konstatua edhe se rruga e Maqedonisë është në BE dhe në NATO dhe për atë nevojitet angazhim nga të gjitha subjektet politike, si të pozitës, ashtu edhe të opozitës.

Mickovski pas takimit në deklaratë për mediumet porositi se konstruktiviteti nuk duhet të jetë në një drejtim, por duhet të jetë dykahësh dhe paralajmëroi se edhe në të ardhmen partia më e madhe opozitare do të vazhdojë të jetë konstruktive, ndërkaq këtë e pret edhe nga Qeveria.

Në takim u hapën disa çështje për disa tema, ndërkaq siç tha Mickovski, kanë pasur edhe mendime të ndryshme, por sipas tij për atë edhe duhet të diskutohet edhe në të ardhmen.

Ai tha se partia për momentin po koordinohet, ndërsa gjatë ditës së nesërme do të kumtojë nëse deputetët e VMRO-DPMNE-së do të kthehen në Kuvend.