Spasovski: Kreu i Çairit ka denoncuar kërcënimet e Belës


Komuna e Çairit është mjaftë e rezervuar në sqarimet rreth ngjarjes së një nate më parë ku mbeti i plagosur drejtori ekonomik i spitalit të Gjinekologjisë, Valon Bela. Ata shkurt thonë se janë në kontakt me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe presin raportin e këtij dikasteri.

Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, si çdo ditë edhe sot ishte i pranishëm në zyrën e tij për t’i realizuar aktivitetet ditore sipas agjendës së punës. Për rastin në fjalë jemi në pritje të raportit zyrtar të Ministrisë së Punëve të Brendshme”- pohoi Komuna e Çairit.

Sipas informatave jozyrtare Valon Bela kishte takim me kryetarin e Komunës së Çairit, Visar Ganiu afër marketit “Princ” në Shkup, ndërsa qëllim i takimit besohet të ketë qenë ankesa e Belës për ndërprerje të rrogës që ka marrë më herët nga komuna. Ndërkohë ministri i Brendshëm Oliver Spasovski thotë se MPB-ja është duke shqyrtuar dëshmitë, përfshirë edhe paraqitjet për kërcënime ndaj kreut të Çairit nga ana e Belës.

-Po punohet në zbardhjen e motiveve për këtë rast. Gjithashtu kemi edhe paraqitje nga ana e kryetarit të komunës së Çairit për disa kërcënime të bërë nga ana e Valon Belës kundrejt tij. Të gjithë këto aspekte do të merren parasysh për zbardhjen e rastit dhe në baza të të gjitha fakteve  do të vërtetohet cilat kanë qenë arsyet, motivet dhe në bazë të saj do të merren përfundimet”- tha Oliver Spasovski, ministër i Punëve të Brendshme.

Nga MPB kanë njoftuar se Valon Bela është plagosur me dy plumba në këmbë dhe është i shtrirë në klinikën “Shën Klimenti i Ohrit”, në gjendje stabile. Bela si funksionar i BDI-së së fundmi është emëruar drejtor ekonomik në Klinikën Gjinekologjike. Përndryshe Valon Bela njihet edhe me incidentin në vitin 2016 në Komunë e Çairit me kryetarin e atëhershëm Izet Mexhiti. Ky i fundit kishte hyre me forcë në komunë për të kërcënuar ish kryetarin Mexhiti, sepse nuk nuk ishte emëruar drejtor i fondit pensional. Në mungesë të ish kryetarit të komunës Mexhiti, Bela kishte lënë një plumb në zyrë e tij si mesazh kërcënimi./Alsat M