Rama: Deklarata për president të përbashkët të Shqipërisë dhe të Kosovës ka dalë nga konteksti

Në një intervistë për mediat shqiptare, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka sqaruar deklaratën e j tij në ditën e Pavarësisë së Kosovës për një President të përbashkët mes Kosovës dhe Shqipërisë.

“Nuk bëra asnjë deklaratë. Një fjali e lirë u shkëput nga konteksti dhe kthye në një program politik. Në fjalën e atij rasti, i lejova vetes që të vrapoj me imagjinatë, se si mund të jetë 20-vjetori i Pavarësisë së Kosovës. Është sport kombëtar, por edhe ndërkombëtar, që shkëputet një fjali nga konteksti dhe pastaj bëhet një histori. Por besoj se askush nuk më ndalon të imagjinoj. Sa i përket pastaj artikulimit, se si kjo mund të ndodhë nga ana legjislative imagjinata ime nuk ka shkuar deri aty”, ka deklaruar kryeministri Rama për Top Channel.

“Deklarata që mund të interpretohen si ndërhyrje politike në vendet fqinje, nuk ndihmojnë në ndërtimin e marrëdhënieve të mira mes fqinjëve”, thuhet në deklaratën e zëdhënëses së Punëve të Jashtme dhe Sigurisë në BE, Ketrin Rej.

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, sot nga Mitrovica i porositi Ramës “ta zhvillojë Shqipërinë dhe të mos i shesë mend Kosovës”.

“I kam thënë Edi Ramës se mund t’i shesim mend njëri-tjetrit sa të duam. Edi Rama e ndihmon Kosovën vetëm duke e zhvilluar Shqipërinë”, tha Haradinaj.

Ai shtoi se nuk ka qëllim për të hyrë në debate të panevojshme, “sepse jemi vëllezër”. “Por, duhet ta kuptojnë që Kosova ka njerëz, nuk mund të vij me mbajt leksione. E duam popullin tonë. Por është me rëndësi t’i përfundojmë punët tona”, tha Haradinaj.

Shefi i diplomacisë serbe Ivica Daçiq e dënon deklaratën e Ramës dhe vlerësoi se BE-ja dhe vende perëndimore e vendosin “kokën në rërë”, para, siç tha, politikës për Shqipëri të Madhe.

Mediat greke e kanë komentuar dhe etiketuar si një dëshirë të shqiptarëve për Shqipërinë e madhe deklaratën e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, për një president të përbashkët midis Kosovës dhe Shqipërisë.

“Fantazma e Shqipërisë së Madhe zgjohet përsëri, për t’u bërë realitet”, apo “Edi Rama ëndërron si Erdogan; kufijtë e zemrës të bëhen një ditë realitet”, këto janë frazat e përdorura në “Alpha Tv”.

Përndryshe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, me rastin e 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës sugjeroi që Kosova dhe Shqipëria të kenë një President të përbashkët dhe sipas tij kjo mund të realizohet pas dhjetë vitesh