Qosja: Para hyrjes në BE, Shqipëria dhe Kosova po shkojnë drejt bashkimit

Takimi i djeshëm midis kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj dhe atij të Shqipërisë Edi Rama është komentuar nga disa figura publike gjatë ditës. Edhe akademiku i Kosovës, Rexhep Qosja ka folur për marrëdhënien Shqipëri-Kosovë dhe sigurisht ka uruar për 28 dhe 29 nëntorin për të gjithë shqiptarët kudo që janë.

Ndër të tjera ai në intervistën për Rudina Xhungën në Vizion Plus ka listuar edhe arsyet pse Kosova dhe Shqipëria vetëm së bashku mund të arrijnë figurën e përsosur që kërkon BE.

“Ne do duhej të kemi të qartë qëllimin, cili është qëllimi ynë dhe njëkohësisht duhet të kemi të qartë, të dimë rrugën që duhet të ndjekim drejt këtij qëllimi, duhet të kemi të qartë rrugën në mënyrë që të mos bredhim rrugicave. E ky qëllim yni sot është, si pikë e parë, përmirësimi i gjendjes së rëndë historike që kemi trashëguar: bashkimi i Kosovës me Shqipërinë”, deklaroi akademiku Qosja.

Ne, shtoi ai më tej, dëgjojmë sot njerëz të politikës të cilëve u është dhënë besimi i popullit të mendojnë për gjendjen e tij, por edhe për çështjen shqiptare në përgjithësi, sesi kjo çështje do të zgjidhet në Bashkimin e Evropës. “Jo, nuk do të zgjidhet në Bashkimin e Evropës. Ashtu siç nuk e lejon një shtet anëtar të tij të ndahet në dy shtete poashtu Bashkimi Evropian nuk i lejon dy shtete anëtare të tij të bashkohen në një shtet”, tha ai.

“Çështja kombëtare shqiptare, çështja e Kosovës dhe Shqipërisë, prandaj do zgjidhet si bashkim i Kosovës me Shqipërinë pa hyrë në Bashkimin Evropian sepse vetëm ashtu të bashkuara ne na sigurohet ai ideal që e kanë dëshiruar brezat gjatë këtyre vjetëve”, tha Qosja.

I pyetur nga Rudina se pse bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, akademiku Qosja tha se kjo nuk është çështje vetëm e dëshirave, e vullnetit, apo ndjenjave të shqiptarëve, por kjo është një çështje që zgjidh shumë çështje të tjera të jetës së popullit shqiptar.

“Kosova me Shqipërinë të bashkuara, krijojnë kushte shumë më të mira natyrore, gjeografike, politike, ekonomike, shëndetësore, arsimore, kulturore, shkencore, për një jetë më të mirë të popullit të Shqipërisë dhe Kosovës së bashkuar. Ato bëjnë të mundshme një siguri të mirërritjes së brezave të ardhshme, bëjnë të mundur rritjen e mirëqenies së popullit shqiptar, bëjnë të mundshme një jetë në kushte në të cilat do të lulëzojnë ato të mira që njerëzit e politikës sot nuk i përmendin, me të cilat mjerisht nuk merren, por që bëjnë të mundshme që në këtë jetë Kosovës dhe Shqipërisë së bashkuar t’i lulëzojnë vlerat më të mëdha si kultura, qytetërimi, artet, letërsia, shkencat – vlerat që sigurojnë identitetin e një populli dhe vlerat që e bëjnë një popull të jetojë historikisht”, deklaroi ai.

Ai shtoi se nuk thuhet kot që Greqia antike nuk jeton për shkak se kanë jetuar e janë marrë me të figura shtetërore dhe politike. Greqia antike jeton në veprat e Homerit, Eskilit, Sofokliut, Euripidit, Platonit, Heraklitit, Aristotelit. Ata janë njerëzit, të cilët edhe prej varreve ju flasin brezave të ardhshëm. “Për këtë arsye e theksoj sot se kulturës, krijimtarisë shpirtërore, arteve, shkencave, qytetërimit duhet t’iu kushtohet kujdes, të cilin sot mjerisht nuk e kanë parasysh ata që merren me politikën”, deklaroi akademiku Qosja.

“Duke i uruar popullit shqiptar festën e madhe, festën më të madhe për popullin shqiptar, 105 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, duke i uruar popullit shqiptar Ditën e Flamurit, që, ja, tani është pranuar edhe zyrtarisht si ditë që do të festohet edhe në Kosovë, unë uroj që festat e ardhshme të Pavarësisë së Shqipërisë dhe të Pavarësisë së Kosovës t’i kremtojmë në Shqipërinë dhe në Kosovën, të bashkuara”, u shpreh akademiku Rexhep Qosja.