Qeveria miratoi ratifikimin e marrëveshjes për emrin

Qeveria e Maqedonisë ka nisur mëngjesin e së hënës seancën për ratifikimin e marrëveshjes së arritur dje në Prespë, midis qeverisë së Maqedonisë dhe asaj të Greqisë, për ndryshimin e emrit nga Republika e Maqedonisë në Republika e Maqedonisë së Veriut. Seanca ka zgjatur më pak se gjysmë ore dhe është miratuar në unanimitet.

Qeveria, në seancën e 74-ët ka miratuar Drafti /Ligjin për ratifikimin e marrëveshjes përfundimtare për të zgjidhur dallimin siç është përshkruar në rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara 817 (1993) dhe 845 (1993) përfundimi i Marrëveshjes së Përkohshme të vitit 1995 dhe krijimi i një partneriteti strategjik midis palëve, me propozim të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Projektligji për ratifikimin do t’i dorëzohet Kuvendit të Republikës së Maqedonisë- thuhet në komunikatën e lëshuar nga Qeveria pas ratifikimit të marrëveshjes.

Pas miratimit në Qeveri ditën e sotme marrëveshja do të dërgohet në Kuvend për miratim, që me shumë gjasa do të vendoset në rend dite këtë të mërkurë. Për miratimin e saj në Kuvend nevojitet një shumicë e thjeshtë, 61 deputetë. Nga kuorumi minimum i 61 deputetëve, 31 nevojitet që të votojnë ‘pro’. Sipas procedurave, ligji më pas edhe një herë dërgohet në presidencë.

Ndërkohë Presidenti Ivanov në afat prej shtatë ditëve duhet të firmosë të njëjtin. Përderisa Ivanov përdor të drejtën e vetos, marrëveshja kthehet prapë në procedurë parlamentare, ndërsa atëherë do të nevojiten minimum 61 vota të deputetëve për miratimin e ligjit dhe i njëjti përsëri kthehet tek presidenti, i cili sipas kushtetutës është i obliguar që ta firmosë.

Mirëpo presidenti Ivanov tashmë ka bërë të ditur qëndrimin e tij se nuk do të firmos një marrëveshje të tillë. Implementimi i marrëveshjes do të zhvillohet në disa etapa. Do të hyjë në fuqi pasi dyja palët do ta pranojnë në përputhje me procedurat e brendshme, ndërsa përderisa cilado palë nuk e pranon marrëveshjen atëherë ajo nënkupton se e njëjta nuk vlen.