Qeveria e Maqedonisë nuk e di se sa ka kushtuar numëratori


Zëdhënësi i Qeverisë së Maqedonisë, Mile Boshnjakovski nuk ka informacione se sa ka kushtuar ekrani elektronik apo siç njihet në opinion numëratori buxhetor, njofton Portalb.mk.

“Siç edhe u paralajmërua disa herë nga kryeministri Zaev, dje në portën triumfale është vendosur ekran elektronik nëpërmjet së cilit do të prezantohen materiale me karakter informativ. Zoran Zaev si qytetar i Maqedonisë ka dërguar kërkesë për vendosjen e ekranit elektronik, i njohur në publik si numërator, dhe i njëjti është blerë personalisht nga ai. Sigurisht që ka pasur procedurë prej kërkesës, miratimit dhe vendosjen së numëratorit. Se sa kushtoi numëratori, nuk dihet për momentin”, tha Boshnjakovski.

Kur pritet të lëvizë numëratori – të kthehen paratë e vjedhura?

“Tashmë e dini se ka procese gjyqësore të cilat janë në fazë përfundimtare. Një pjesë e parave të vjedhura janë kthyer në buxhet, por kur saktë do të nis të funksionojë numëratori buxhetor, do të duhet të jeni edhe pak të durueshëm”, tha Boshnjakovski.