Protestë në Shkup, kërkohet lirimi i të burgosurve të rastit të Kumanovës


Фото: Борис Грданоски

Qindra qytetarë  sot protestuan para Gjykatës penale për të dënuarit e rastit të Kuamanovës. Ata kërkojnë që Lënda gjyqësore për “Lagjen e Trimave” dhe të gjitha proceset tjera të montuara politike të rigjykohen.

“Të bëhet balistika dhe ekspertiza profesionale e të gjitha të dhënave dhe fakteve materiale që i propozon mbrojtja. Të merren parasysh të gjitha shkeljet dhe lëshimet e qëllimshme procedurale. Në botën demokratike, të akuzuarit edhe për vepra më të rënda lirohen shkaku i lëshimeve procedurale. Me një venting në gjyqësor të largohen të gjitha ata gjykatës që për interesa partiake dhe karrieriste janë pjesë e proceseve të montuara dhe dënimeve drakonike ndaj shqiptarëve. Të përmirësohen kushtet në burgjet e vendit”, tha Kryetari i Këshillit të familjarëve të të burgosurve politik, Shpëtim Pollozhani.

Në këtë protestë, morën pjesë shumë familjarë të të arrestuarve në rastin e Kumanovës, përfshi edhe të afërm të të arrestuarve në rastet tjera. Pjesë e kësaj protestë ishte edhe vajza e Arsim Bajramit (ish-pjesëtar i MPB-së) i dënuar me 13 vite burg për ngjarjet në “Lagjen e Trimave”. Para të pranishmëve ajo shprehi dëshirë që babai i saj të lirohet sa më shpejtë dhe të kthehet në shtëpi.

Për rastin “Lagjja e Trimave” të akuzuar ishin 37 persona për terrorizëm 33 prej të cilëve u gjykuan në vitin 2017, ndërsa për katër u soll aktgjykim për lirim. Prej të gjykuarit për tetë u shqiptua dënim i përjetshëm me burg, 13 morën nga 40 vite burg, gjashtë nga 20 vjet, një 18 vjet, dy nga 14 vjet, dy nga 13 vjet burg dhe dy nga 12 vjet burg. 

Edhe pse Qeveria Zaev, para dhe pas marrjes së pushtetit pati paralajmëruar hetim ndërkombëtar për ngjarjen e Kumanovës, ajo deri më tani nuk është realizuar.

Protesta për katër vjetorin e ngjarjeve në Lagjen e Trimave në Kumanovë janë mbajtur edhe në Prishtinë, Lipjan dhe Ferizaj.