Prokuroria i ndjek pesë persona si organizatorë të ngjarjeve të 27 prillit


Prokuroria Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit sonte përmes një komunikate informon se nën hetime janë pesë persona të cilët dyshohen se janë organizatorë të ngjarjeve të 27 prillit.

Ata akuzohen se kanë kryer vepër penale “kërcënim terrorist të rendit dhe sigurisë kushtetuese”.

Siç theksohet në kumtesë, të dhënat e procedurës para hetimore kanë treguar se të dyshuarit në fillim të vitit 2017 kishin përgatitur dhe realizuar plan me qëllim që të pamundësojnë pranim-dorëzimin e qetë të pushtetit. Për këtë qëllim, i kishin organizuar dhe materialisht i kishin mbështetur protestat masive, së pari para   Komisionit Shtetëror Zgjedhor, ndërsa pastaj edhe protestat e lëvizjes “Për Maqedoni të përbashkët” të cilat kulminuan me hyrjen e dhunshme në Kuvend më 27 prill.

“Të dyshuarit si organizatorë e kishin përfshirë edhe strukturën partiake dhe mjetet materiale për përmbushjen e qëllimit dhe kishin mundësuar uljen e vazhdueshëm të numrit të nëpunësve policorë për sigurimin e protestave. Me qëllim që ta rrezikojnë rendin kushtetues dhe sigurinë, ditën kritike kishin organizuar hyrjen pandërprerë të masës së popullatës në shtëpinë ligjvënëse,  kanë përfshirë shoqata patriotike për realizimin e dhunës. Njëherit nga selia e partisë politike vazhdimisht e kishin mobilizuar anëtarësinë e partisë nga Shkupi dhe qytetet tjera. Njëkohësisht, një nga të dyshuarit me veturë, pronë e Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim, kishte sjellë armë dhe jelekë mbrojtës para Kuvendit të Republikës së Maqedonisë që ishin të dedikuar për persona të cikët protestojnë dhe kanë përvojë në menaxhimin me armët. Me këto aktivitete të dyshuarit kishin shkaktuar ndjenjën e pasigurisë, kërcënim dhe frikë te qytetarët”, thuhet në kumtesë.

Nga ana e prokurorit kompetent është dërguar propozim për caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarit.

Për përfshirje në ngjarjet e 27 prillit sot pasdite ishte arrestuar ish kryetari i Kuvendit Trajko Veljanovski, ndërsa krahas tij, siç publikuan disa media, janë arrestuar edhe ish ministrat Mile Janakieski dhe Spiro Ristovski.