Përfundon fushata publike, fillon heshtja para referendumit

Në mesnatë përfundoi propaganda publike dhe filloi heshtja 48-të orëshe para referendumit, i cili do të mbahet të dielën më 30 shtator.

Kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) Oliver Derkovski nga Manastiri deklaroi se shpërndarja e fletëvotimeve për referendumin ka filluar pas verifikimit që anëtarët e Komisionit e kanë bërë në shtypshkronjën “Kiro Dandaro”. Ai ka vlerësuar se përgatitja e materialit për referendumin ka përfunduar shkëlqyeshëm.

Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale njoftoi dje se fushata “Qëndrimi juaj, e drejta juaj” e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, si një fushatë me interes publik, nuk bën pjesë në propagandën publike për referendumin dhe gjithashtu mund të transmetohet edhe të premten dhe të shtunën edhe pse tashmë do të jetë heshtje zgjedhore para referendumit.

Sipas vendimit të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë, pyetja e referendumit do të jetë: “A jeni për anëtarësim në BE dhe në NATO, duke pranuar marrëveshjen e Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë?”

Të drejtë vote në deklarimin plebishitar të dielën kanë 1.806.336 votues, të regjistruar në Listën Zgjedhore. Vendvotimet më 30 shtator do të hapen prej orës 7 deri në orën 19.

Një ditë para, të shtunën, do të votojnë të sëmurët, të pafuqishmit, personat në arrest shtëpiak, të burgosurit, si dhe shtetasit e Republikës së Maqedonisë që jetojnë jashtë vendit.

Referendumi do të vëzhgohet nga rreth dhjetë mijë vëzhgues nga Maqedonia dhe rreth 500 vëzhgues të huaj./Gazeta e Pavarur