Pendarovski: Zgjidhja e çështjes së emrit është larg


Mediat greke raportojnë se javët e ardhshme do të jenë kyçe për zgjidhjen ose jo të emrit. Ndërsa raundi i radhës negociues mes dy ministrave të jashtëm do të mbahet më 12 prill në Shkup. Megjithatë i vetmi që e konfirmoi këtë informacion ishte lideri i partisë opozitare “Potami”, Stavros Teodorakis. Teodorakis pas takimit me shefin e diplomacisë greke, Nikos Kocijas zbuloi se ka gjasa që negociatat të kalojnë në nivelin më të lartë, duke aluduar kështu në takim mes kryeministrit Grek dhe atij maqedonas, Cipras dhe Zaev.

“Më thanë se prilli ka gjasë ta sjell zgjidhjen. Më 12 të këtij muaji, siç më njoftoi Kocijas do të jetë takimi i ardhshëm i rëndësishëm me ministrin e Jashtëm të IRJM-së dhe nëse takimi kalon mirë, mendoj se rasti do të shkojë në duar të dy kryeministrave”, deklaroi Stavros Teodorakis, Potami.

Teodorakis deklaroi se partia e tij do ta mbështeste zgjidhjen eventuale, vetëm nëse e njëjta do të çrrënjoste irredentizmin nga Kushtetuta dhe librat. Ndërkaq lideri i partisë më të madhe opozitare, Demokracia e Re, Kyriakos Micotakis duke theksuar nevojën për ndryshim të Kushtetutës tha se partia e tij do të merr qëndrim për propozimin eventual që Qeveria do ta dorëzonte në Kuvend vetëm pasi ta shqyrtojë të njëjtin.

“Nuk kemi arritur deri aty. Nuk e parashikoj pozitën e Demokracisë së Re. Do ta shqyrtojmë cilëndo marrëveshje. Por, dua edhe një herë të përsëris se Qeveria me këtë çështje, fatkeqësisht e ka ndarë shoqërinë ” ,u shpreh Kyriakos Micotakis, Demokracia e Re.

Në Shkup nga ana tjetër koordinatori nacional për NATO, Stevo Pendarovski shprehet i rezervuar ndaj euforisë së mediave greke. Sipas tij, zgjidhja është akoma larg

“Akoma bëhet fjalë për fazë të hershme në procesin negociator. I shoh raportimet mediatike, veçanërisht ato greke që janë në numrin më të madh spine mediatike, të cilat insistojnë në atë se është arritur marrëveshje. Mos besoni në to. Nga ajo që unë shoh, deri në këtë moment, pozicionet janë akoma të ndryshme për elementet më të rëndësishme të marrëveshjes së ardhshme eventuale”, tha Stevo Pendarovski, Koordinator nacional i NATOs.

Sipas Pendarovskit nëse në këto negociata klasike, ku dy palët janë të barabarta marrëveshje nuk do të ketë nëse nuk garantohet se do të ruhen interesat nacionale. Pas takimit të Vjenës, dy ministrat e jashtëm informuan liderët partiak. Dimitrov mbrëmë informoi Presidentin e vendit, Gjorge Ivanov, por jo edhe liderin e opozitës, Hristijan Mickovskin. Nga VMRO-ja madje thonë se nuk ka asnjë kërkesë për një takim të tillë. Ndërsa ministri grek, Kocijas agjendën e takimeve e përmbyll me përgjegjësin për politikë të jashtme të partisë më të madhe opozitare Demokracia e Re, Jorgos Kumucakos. / Alsat-M