Osmani: Nuk shoh me cilat argumente do të bllokoheshin negociatat në qershor

Zëvendëskryeministri për Çështje  Evropiane Bujar Osmani në Bruksel deklaroi se nuk sheh argumente  me të cilat vendet anëtare do të mund në Këshillin e qershorit ta bllokojnë apo shtyjnë datën për negociata me Maqedoninë.

Osmani ishte ftuar të flasë në Qendrën Evropiane për Politika EPC) për progresin  e Maqedonisë në drejtim të BE-së. Ai, në mëngjesin e sotëm është takuar me përfaqësues të vendeve anëtare, me komisarin evropian Johanes Han dhe me shefen e diplomacisë Federika Mogerini.

Duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve, Osmani tha se “do të jetë vështirë të gjinden argumente që të bllokohet vendi pasi që e ka arritur marrëveshjen historike me Greqinë dhe ka bërë gjithçka që është kërkuar nga ajo” në kontekst të procesit të reformave dhe tre kushtet e vendosura vitin e kaluar të Këshillit për Punë të Përgjithshme për fillimin e negociatave këtë vit.

Sipas Osmanit, nëse vendimi në qershor do të jetë negativ, pasojat do të ishin “katastrofale” si në planin e brendshëm, ashtu edhe në suaza të rajonit. Osmani konsideron se mosfillimi i negociatave në kushte  të reformave të përmbushura dhe kompromiseve të dhimbshme  me fqinjët do ta minojë kredibilitetitn e institucioneve evropiane  në sytë e qytetarëve të Maqedonisë, por edhe do të ulet entuziazmi për reformat te të gjithë.

“Me vite u themi qytetarëve se emri është çështje për shkak të së cilit bllokohet. Nëse nuk ka negociata, do të ketë dekurajim për reformat”, theksoi Osmani.

Pasojat do të ishin të rëndësishme  edhe për fqinjët, vlerësoi ai. “Pse cilido qoftë vend do të pranonte të hyjë në kompromise të vështira, nëse në fund është lënë vetë?, pyet Osmani, duke aluduar në kontestin midis Kosovës dhe Serbisë, për të cilin Bashkimi Evropian ka shpresë se do të ketë nxitje të re pasi që do të përfundojë Procesi Prespës.

Zëvendëskryeministri përkujtoi se Maqedonia e mbështet  hapjen e negociatave me Shqipërinë në të njëjtën kohë dhe se të dyja vendet duhet të shkojnë përpara, por se duhet të respektohet parimi i meritave individuale.

“Do të ishte katastrofale nëse Maqedonia e Veriut refuzohet pas të gjitha kompromiseve të cilat i ka bërë, asnjë vend nuk guxon të jetë dëm kolateral”, tha Osmani.

Zëvendëskryeministri gjithashtu  përkujtoi se implementimi i Marrëveshjes së Prespës në planin vendor është i lidhur me hapjen e kapitullit negociues, që, sipas tij, është edhe një arsye që sa më shpejt të hapen negociatat me Maqedoninë.