Osmani: nuk ka anëtarësim në BE pa zgjidhje të emrit, Ahmeti foli në kontest pozitiv për zgjidhje


Të gjitha mundësitë e dhëna për Maqedoninë në strategjinë për zgjerim të BE-së nuk do t’i kontribuojnë integrimit në BE pa e zgjidhur problemin me emrin.

Kështu deklaroi zëvendëskryeministri Osmani, i cili edhe njëherë ritheksoi se vendi alternativë tjetër nuk ka, pos bashkëngjitjes në familjen evropiane.
“Nuk ka anëtarësim në BE pa e mbyll çështjen e emrit. Secili që mendon ndryshe, ose nuk e di këtë punë ose nuk është i sinqertë me qytetarët. Kjo nuk do jetë e rëndësishme. Gjithë këto mundësi i jep BE nëpërmjet strategjisë, vetëm e vetëm nëse ne do ta mbyllim çështjen emrit. Optimizmi im nuk bazohet vetëm në vullnetin tonë për të zgjidhur çështjen e emrit, as në vullnetin e Greqisë, edhe pse ai është dominant në përcaktimin e dinamikës, optimizmi im bazohet në faktin se ne nuk kemi alternativë tjetër”,- deklaroi zëvendëskryeministri për eurointengrime, Bujar Osmani.

Sundimi i ligjit, menaxhimi i drejtë i pushtetit, përforcimi i ekonomisë, aplikimi i rregullave dhe standardeve të BE-së, pajtimi, marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe bashkëpunimi rajonal janë klasifikime kyçe për Maqedoninë të parapara në strategji, njëherit edhe parakushte për aderim, tha Osmani gjatë prezantimit të strategjisë së KE-së për zgjerim me Ballkanin Perëndimor.

Ai gjithashtu informoi se KE ka vlerësuar nivelin e arritjes së reformave dhe se pritet vendi të marrë rekomandim të pastër për fillimin e bisedimeve, që sipas Osmanit është çështje kohe marrja e rekomandimit të pakushtëzuar për fillim të bisedimeve.

Osmani u pyet nga gazetarët në lidhje me deklaratën e kryetarit të BDI-së, Ali Ahmetit, dhënë televizionit grek Skaj, i cili ka thënë se momentalisht ne jemi shtet pa emër.

“Deklarata e Ahmetit është dhënë në kontekst pozitiv, në kuptimin që Maqedonia në institucionet ndërkombëtare njihet realisht me referencën IRJM, që nuk është as dëshirë e qytetarëve, po as edhe ndonjë vendim i përhershëm. Thjesht në institucione ndërkombëtare kemi një vendim të përkohshëm, rrjedhimisht nuk kemi. Në këtë kontekst Ahmeti ka thënë se negociatat zhvillohen në zgjidhjen e këtij kontesti dhe ndërrimit të referencës me emër që do të jetë i përhershëm. Ne na duhet zgjidhje afatgjate për shtet afatgjatë”,- theksoi zëvendëskryeministri për eurointegrime, Bujar Osmani.

Osmani u përgjigj edhe për Ligjin e gjuhëve për të cilin tha se në nivel të grupeve parlamentare ekzistojnë komunikime ndërmjet deputetëve të partive politike, mirëpo nuk ekziston komunikim formal në formë të grupeve punuese për të kaluar dallimet në Ligjin për përdorimin e gjuhëve.

Për momentin po bisedojmë me partnerin e koalicionit për pozicionin e përbashkët sa i takon formës së miratimit të ligjit, shtoi Osmani. / MRTV 2