Nimic takime me kreun shtetëror në Athinë


Ndërmjetësi i OKB-së për zgjidhjen e çështjes së emrit midis Maqedonisë dhe Greqisë Metju Nimic sot dhe nesër po qëndrojë për vizitë zyrtare në Athinë. Gjatë të martës, Nimic do të takohet me ministrin e Jashtëm Kocijas dhe kryeministrin grek Aleksis Cipras. Në takim pritet që ai të informohet për hapat e Qeverisë së Ciprasit lidhur me harmonizimin e pozicioneve në mes partive politike për mënyrën e zgjidhjes së emrit.

Ndërkohë pas takimit të djeshëm të kryeministrit grek me të gjithë udhëheqësit e partive parlamentare, kreu i partisë “Grekët e Pavarur” nga koalicioni qeveritar, Panos Kamenos, njëkohësisht ministër i Mbrojtjes, sipas mediave greke i ka thënë kryeministrit Cipras se nëse do të vijë në Parlament një emër i përbërë që përmban termin “Maqedonia”, ai nuk do ta votojë propozimin.

Kamenos ka paralajmëruar dorëheqjen bashkë me anëtarët e tjerë të partisë së tij nga postet qeveritare, duke krijuar kështu të çarën e madhe në koalicionin qeveritar të vendit. Por, në të njëjtën kohë, sipas mediave greke Kamenos ka thënë se nëse opozita do të tentojë të përfitojë nga kjo dhe do të kërkojë votëbesimin e qeverisë në Parlament, ai do ta mbështesë qeverinë.

Por zëdhënësi i Qeverisë Greke Dimitris Sanakopulos sot ka njoftuar për zbutjen e toneve midis partnerëve të koalicionit duke thënë se ekziston përafrim i qëndrimeve të Qeverisë me disa nga partitë politike greke dhe se me këtë marrëveshja eventuale për emrin do të votohet në parlament.

Por, nga ana tjetër nuk përjashtohet mundësia që propozimin për emrin e ri të Maqedonisë ta mbështesin në Parlament edhe deputetë nga partitë opozitare, midis tyre edhe ata të koalicionit demokratik, shumica e të cilit përbëhet nga socialistët e PASOK-ut. Tek ata, thuhet se Tsipras mund të gjejë partnerët e ardhshëm të qeverisë.

Bisedimet mes Shkupit dhe Athinës për emrin e Maqedonisë kanë nxitur reagime e protesta të shumta. Më 4 shkurt, në Athinë është paralajmëruar një miting madhështor, madje më i madh se ai i Selanikut, në të cilin grekët do të kundërshtojnë që termi “Maqedoni” të jetë pjesë përbërëse e emrit të ri. Nga e mërkura Nimic pritet të mbërrij në Shkup. /Alsat -M