Ndotja e ajrit në Shkup disa ditë mbi të lejuarën


Banorët e Shkupit disa ditë me radhë thithin ajër të ndotur. Koncentrimet e grimcave PM10 sipas matjeve të Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, të shtunën kanë arritur maksimumin prej 426 mikrogramë në Lisiçe, dje 596, gjithashtu në Lisiçe dhe gjatë natës deri në mëngjes koncentrim më i lartë prej 527 mikrogramë është matur sërish në Lisiçe.

Edhe në vendet e tjera të matjes janë matur koncentrime të larta kështu që në Qendër të shtunën janë matur 207 mikrogramë maksimal, Gazi Babë 242, Karposh 307, Lisiçe 426 dhe te Rektorati 402 mikrogramë.

Gjatë ditës së djeshme, maksimalet kanë qenë në Qendër 230 mikrogramë, 361 në Gazi Babë, 295 në Karposh, 596 në Lisiçe dhe 532 te Rektorati.

Prej mbrëmë në Karposh koncentrimi maksimal ka arritur 213 mikrogramë, Gazi Baba 326, Qendra 348, te Rektorati 376 dhe në Lisiçe 527 mikrogramë.

Në rast se koncentrimet e mesditës janë mbi 100 mikrogramë rekomandohet të shfrytëzohet transporti publik, automjetet të mos shfrytëzohen pa nevojë të madhe, më shumë persona të voziten me një automjet në të njëjtën kohë, të mos përdoret për ngrohje të hapësirave vaji i mbetur, mbeturina me llak apo të ngjyrosura nga druri dhe mobilie, polisterol, PET, ambalazh, copa gome apo çfarëdo materiali sintetik, si dhe në mënyrë të drejtë të shfrytëzohen furrat për dru.

Fëmijëve, personave në moshë, të sëmurëve kronik nga mushkrit apo sëmundjet e zemrës, por edhe për personat të cilët punojnë në sipërfaqe të hapura në zonat e ndotura të qytetit u rekomandohet lëvizje e kufizuar dhe aktivitete në sipërfaqe të hapur.

Masat urgjente që Qeveria i miratoi para më shumë se një muaji hyjnë në fuqi në rast se dy dytë me radhë në dy stacione matëse do të maten koncentrime prej mbi 200 mikrogramësh.

Në mesin e atyre masave janë rekomandimet që të lirohen nga detyrimet e punës gratë shtatzëna, personat më të moshuar se 60 vjet, personat me astmë kronike, personat me infarkt të pësuar ose tronditje në tru, pa dallim të moshës. Të riorganizohet orari i punës për ata të cilët punojnë në hapësira të hapura prej orës 11 deri në orën 17, ndalesë për mbajtjen e ndeshjeve sportive dhe manifestimeve të tjera në ambient të hapur dhe sigurim i kushteve për aktivitet të rritur të ndihmës së shpejtë, vizitë në shtëpi dhe shërbimit të patronazhit.

Komunat janë të obliguara ta ulin çmimin e biletës në transportin urban në periudhën e kushteve të pavolitshme klimatike që do të ishte nxitje e qytetarëve për shfrytëzimin e transportit publik, të mundësojnë transport publik falas, të rritet frekuentimi i autobusëve të NTP, çdo ditë të pastrohen rrugët dhe hapësirat për këmbësorë, t’i rrisin kontrollet inspektuese në vend ndërtimet, të trajtuesve me mbeturinat e vajit dhe serviseve që punojnë me ndërrimin e vajit, auto-shkollat t’i realizojnë trajnimet në periudhën prej orës 9:30 e deri në 14:30 dhe pas orës 18, si dhe furnizimi i mallit në zona të ndaluara të kryhet deri në orën 7:30.

Kompanive ndërtimore u rekomandohet të përdorin ujë për uljen e pluhurit, gjegjësisht spërkatje, larje e gomave të kamionëve para vendeve të ndërtimit, ndërsa makinat ndërtimore t’i dërgojnë deri te vendi i ndërtimit deri në orën 7:30 në mëngjes.

Inspektorati Shtetëror për Mjedis Jetësor të kryejë kufizim të emisioneve nga lejet e integruara B dhe kapacitetet më të vogla ekonomike dhe të bëjnë kontroll më të shpeshtë të instalimeve të cilat posedojnë leje të integruar A. Pastaj të zbatojë matje të emisioneve të substancave të ndotjes në ajër me laboratori të akredituar me qëllim që të konfirmohet nëse zbatohen kushtet e përcaktuara në lejen lidhur me emisionet në ajër, ndërsa të njëjtat do të marrin rekomandim ta ulin prodhimin deri në 50 për qind.

Ministria e Punëve të Brendshme ta aktivizojë dhe ta zbatojë vendimin dhe kontrollin e regjimit qarkullues tashmë të vendosur për automjetet të rënda transportuese destinacioni përfundimtar i të cilave nuk është Shkupi, gjegjësisht ta përdorin rrethrrotullimin.

Organet e drejtorisë shtetërore, agjencitë, fondet, byrotë, entet, ndërmarrjet publike dhe SHA në pronësi shtetërore, si dhe komunat ta përkufizojnë deri në 50 për qind përdorimin e automjeteve zyrtare dhe të sigurojnë përkufizim të punëve në objektet ku po ndërtohet.