Ndërrohen emrat e shkollave në Dibër

yrtarisht ndërrohen emrat e shkollave në Dibër, u njoftua sot në programin organizuar me rastin e 28 nëntorit – Ditës së Pavarësisë së Republikës së Shqipërisë dhe Ditës së Flamurit Kombëtar. Pas vendimit të miratuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, emrat e shkollave janë regjistruar edhe në Regjistrin Qendror.

Shkolla e mesme komunale “Vëllazërim bashkimi” tani është “Penestia”, ndërsa shkolla e mesme komunale “Zdravko Çoçkovski” në “28 Nëntori”. Paraprakisht Këshilli i Komunës së Dibrës, në fillim të tetorit për herë të dytë miratoi vendime për dhënien e pëlqimit për riemërimin e dy shkollave të qytetit, duke pasur kujdes për numrin e nevojshëm të votave sipas “Badenterit”. Vendim për ndryshimin e emrave të dy shkollave, gjithashtu me “Badenter” u votua edhe në vitin 2012 nga këshilli i atëhershëm i komunës.

Në programin me rastin e patronazhit të gjimnazit “28 Nëntori”, për rëndësinë e kësaj dite foli drejtori Ramadan Imeri. Ai falënderoi ministrin e Arsimit dhe Shkencës Arbër Ademi ndërsa veçanërisht kryetarin e ndjerë të komunës së Dibrës, Ruzhdi Lata. Programi me rastin e 28 nëntorit u mbajt sot edhe në kopshtin për fëmijë “Breshia”, si dhe në dy shkolla fillore. Të gjithë fëmijëve nga kopshtet dhe nxënësve të shkollave fillore ju dha dhurata dibrani Salaudin Erbeli, i cili jeton në SHBA. Ndryshe, për shkak të ditë zie për vdekjen e kryetarit të komunës së Dibrës Ruzhdi Lata, janë anuluar të gjitha aktivitetet e parapara kulturore dhe sportive.