“Ndaloni, policia, do ju vras”, dëshmi në rastin Monstra


Dëshmitari i dytë në rastin Monstra, Kemal Nesim shpjegon ditën e 12 prillit të vitit 2012 kur ka ndodhur vrasja e pesëfishtë në Smillkovë. Nesim, raporton SHENJA, i tha gjykatës se teksa po peshkonin, ishin takuar me djemtë e vrarë pasi u kishin kërkuar bukë dhe krimba për peshqit, ndërsa më pas ata ishin zhdukur me makinën e tyre. Pasi ai me shokët kishin vendosur të ikin nga vendi i peshkimit, kishin vërejtur një makinë me ngjyrë të errët me një shofer brenda. Më pas kishin takuar një njeri me pushkë automatike që ishte prezantuar si polic dhe kishte veshur jelek antiplumb, i cili i kishte kërcënuar dhe kthyer nga rruga që ishin nisur.
“Ndaloni, policia. Ikni se do ju vras na tha. Dhe na shau. Pas atij personi më duket se pashë edhe tre ose katër persona të tjerë. Ata rrinin vetëm. Pastaj sa nisëm ne të ikim me vrap, i dëgjuam krismat. Kishte disa krisma sporadike. Por u dëgjua edhe një rafall. Krismat i lamë pas vetes. Pasi ikëm, qëndruam edhe thuajse dy orë në vendin ku po peshkonim më parë. Më vonë kur vendosëm të ktheheshim, nisëm të vozisim motorin me rimorkio, vërejta se kisha shkelur diçka, kur e shikova ishin njerëz të shtrirë në bark. Nga vendi i atij njeriut që na përzuri deri tek vendi i vrasjes kishte afro 15 metra. Pastaj ne vetëm i kaluam trupat pasi u frikësuam, nuk tentuam ti ndihmojmë”, u përgjigj dëshmitari Kemal Nesim. /SHENJA/