MPB me detaje për vrasjen në Çair

Policia ka dalur me detaje lidhur me vrasjen e mbrëmshme në Shkup të Ismet Arifit dhe plagosjen e Qemal Lusjanit në Çair të Shkupit.

Sipas raportit policor, Arifi dhe Lusjani pak para vrasjes kanë qenë në çajtoren “Dizeldorf” në rrugën Lazar Trpovski dhe janë vrarë pasi që kanë dalur dhe janë nisur me makinën e tyre.

“Ata janë nisur me makinën e tipit ‘Pasat’ e cila ishte e parkuar afër çajtores dhe duke lëvizur vetëm disa metra më larg ndaj tyre është shtënë me breshëri plumbash, me ç’rast një plumb e ka goditur për vdekje personin I.A dhe një plumb ka lënë të plagosur bashkëudhëtarin e tij Q.L, në krahërorin e majtë. Autori i panjohur i sulmit është arratisur nga vendi i ngjarjes”, kumtoi Ministria e Brendshme.

Atentati ka ndodhur rreth orës 22.30, ndërsa i plagosuri menjëherë është dërguar në Qendrën Urgjente në Shkup. Sipas policisë, në vendin e ngjarjes janë gjetur 11 gëzhoja dhe se makina është marrë për ekspertizë nga ana e policisë kriminale. Të vrarit gjithashtu i është marrë telefoni cellular, veshjet dhe sende të tjera.  Policia nuk jep detaje lidhur me motivet e kësaj vrasje.