Mickoski: Nuk më lejuan ta shoh Janakieskin

Kryetari i VMRO-DPMNE-së Hristian Mickoski sot pasdite shkoi në SPQ “8-të Shtatori” që ta vizitojë ish ministrin Mile Janakieski, i cili ishte shtrirë aty pas incidentit në burgun “Shkupi” në Shutkë, ku po e vuan masën e paraburgimit, por, siç tha nuk i ishte lejuar që ta shohë.

“Nuk më lejuan që ta shoh Mile Janakieskin, e as dikush  nga spitali erdhi që të na sqarojë se çka kishte ndodhur, e as dikush të na tregojë se si do të rrjedhin punët në vazhdim. Për hir të së vërtetës erdhi vetëm mjeku kujdestar, na e sqaroi diagnozën, se ka lëndime në trup”, tha Mickoski.

Ai theksoi se shteti nuk kishte sukses që t’i mbrojë jetët, as të Janakieskit, e as të ish ministrit Spiro Ristovski, i cili gjithashtu po e vuan masën e paraburgimit dhe ishte pjesë e incidentit, dhe kërkoi dorëheqje nga kryeministri Zoran Zaev dhe ministrat e Drejtësisë dhe të Punëve të Brendshme Renata Deskoska dhe Oliver Spasovski. Për këto ngjarje, tha, do t’i informojë të gjitha institucionet relevante ndërkombëtare.

Janakieskit mbrëmë i ishte caktuar paraburgim prej 30-të ditëve në lidhje me ngjarjet në Kuvend më 27 prill të vitit 2017. Për të njëjtin rast paraburgim iu shqiptua edhe ish ministrit Spiro Ristovski.

Shumë media sot publikuan se Janakieski dhe Ristovski, ishin lënduar në një përleshje fizike në burg. Prej atje e konfirmuan incidentin, por theksuan se  shkaktarë ishin Ristovski dhe Janakieski. Nga SPQ “8-të Shtatori”, sot pasdite konfirmuan se e kishin pranuar Janakieskin, por se nuk ishin konstatuar lëndime trupore.