Mickoski: Fitore në zgjedhje, pastaj kundër Marrëveshjes së Prespës


Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski në një intervistë për Radion Evropa e Lirë nuk përgjigjet se çka është ajo “gjithçka” që do të bëjnë që t’i ndryshojnë proceset të cilat dalin nga Marrëveshja e Prespës. Së pari, siç thotë, duhet që VMRO-DPMNE-ja të fitojë në zgjedhje, të formojë qeverinë, pastaj në ndryshimin e proceseve do të shkonin hap pas hapi.

“Pasi që ta fitojmë besimin e popullatës, ndërsa ne do ta fitojmë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, kuptohet nëse shumica parlamentare merr guximin, do të shihni se cilat do të jenë hapat dhe do të shihni se cilat procese VMRO-DPMNE-ja do t’i ndryshojë në të ardhmen. Kështu që unë do të isha me të vërtetë i kujdesshëm, e kuptoj nevojën e zbulimit të senzacionalizmit para kohe. Por unë do të isha me të vërtetë i kujdesshëm  në hapat të cilat shkojnë një pas një, kështu që së pari të shohim se a do të ketë guxim shumica qeveritare, a do të ketë guxim që ta mbështesë iniciativën e VMRO-DPMNE-së për lëshimin e Parlamentit dhe dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme. Pastaj hapi i dytë ku VMRO-DPMNE-ja do ta fitojë besimin e qytetarëve që të formojmë qeveri, e pastaj do të shkojmë hap pas hapi në proceset të cilat VMRO-DPMNE-ja do t’i ndryshojë. Dhe menjëherë këtu mund të jap përgjigje edhe në pyetjen e dytë të mundshme sepse para pak kohësh më ishte parashtruar – A do të jem kryeministër i Republikës së Maqedonisë së Veriut, unë edhe atëherë thash, por edhe tani do të përsëris se jam i gatshëm të jem kryeministër dhe për mua gjithmonë do të mbesë Republika e Maqedonisë duke mos llogaritur këtë gabim historik të cilin e bëri qeveria e LSDM-së dhe Zoran Zaevi për shkak të qëllimeve personale për karrierë”, thotë në intervistë.

Për atë se a do të fillojnë iniciativë për ndryshim të sërishëm të Kushtetutës, thotë se asnjë proces në histori nuk është i një drejtimi, të gjitha proceset në histori përvoja tregon se ishin të kthyeshme. “Është çështje kohe se kur do të realizohet lidhja kthyese. Kështu që është e rëndësishme që paraprakisht të bëhen disa procese tjera, e pastaj VMRO-DPMNE-ja do të mund që para qytetarëve të Republikës së Maqedonisë ta zbatojë këtë për të cilën ne sot flasim dhe atë se në çfarë baze  VMRO-DPMNE-ja do ta ndërtojë doktrinën e saj të ardhshme politike.  Ne jemi parti e cila është e drejtpërdrejtë, parti e popullit, e qytetarëve, parti e cila është e ndershme, e sinqertë dhe parimore.   Ne nuk mund të premtojmë diçka që nuk mund ta realizojmë. Ne nuk mund të jemi patriotë me çizme në shtëpi para kompjuterëve dhe të shkruajmë statuse në rrjetet sociale, e as që të flasim  atë që qytetarët dëshirojnë ta dëgjojnë. VMRO-DPMNE-ja mund të premtojë, unë mund të premtoj se pasi që ta marr besimin e qytetarëve, do të bëj gjithçka që është në fuqinë time që proceset t’i ndryshoj. Për mua ka ekzistuar, është dhe do të mbetet Republika e Maqedonisë, ndërsa gjithçka tjetër e konsiderojmë si gabim historik, dhe këtu nuk kam se çka të shtoj dhe çka të humb”, thekson në intervistë lideri i VMRO-DPMNE-së Hristian Mickoski.