Merkel letër kryeministrit Zaev: Tani është momenti për hapa të rëndësishëm


Kancelarja gjermane, Angela Merkel, përmes një letre drejtuar kryeministrit, Zoran Zaev, ka shprehur mbështetje për Qeverinë e Maqedonisë, duke vlerësuar se tani është momenti kur duhet të ndërmerren hapa të rëndësishëm për të ardhmen e vendit.

Merkel thekson se Marrëveshja e Prespës ofron mundësi historike për Maqedoninë dhe forcon marrëdhëniet fqinjësore.

“Më 30 shtator shumica dërmuese prej mbi 90 për qind e atyre që morën pjesë në referendum votuan “PËR” marrëveshjen me Greqinë. Marrëveshja ofron mundësi historike dhe forcon marrëdhëniet mes dy vendeve. Gjithashtu largon pengesën kyçe për afrimin e vendit në BE dhe NATO. Tani është momenti të merren hapa të rëndësishëm për zbatimin e marrëveshjes për emrin me miratimin e ndryshimeve kushtetuese. Do të vazhdoj të bashkëpunoj me ju për realizimin e këtij qëllimi”,- thuhet në letrën e Merkelit, e cila është publikuar në faqen e Qeverisë gjermane.