Memedi: 14 të vërteta për Gostivarin, 12 kanë të bëjnë me shqiptarët


“E vërteta për Gostivarin” do të dalë në shesh, tani ose pas disa kohësh, ajo që duhet të dihet, do të thuhet. Pos të vërtetës për këtë qytet, janë edhe 13 të vërteta të tjera që institucionet e shtetit së shpejti do t’i nxjerrin në shesh.

Për herë të parë këtë e tha nënkryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë dhe njëherit kryetari i RDK-së, Vesel Memedi, në një intervistë për Tv Globi, përcjell FLAKA.

I pyetur se kush është e vërteta për Gostivarin, që ishte edhe sllogani i partisë së tij gjatë zgjedhjeve lokale dhe pse ai deri më tani nuk ka zbuluar asgjë mbi atë të vërtetë që ai pretendon, tha se së shpejti kjo do të bëhet nga shteti, e jo nga ai si person.

“E vërteta për Gostivarin sot e 20 vite nuk është thënë, dhe mungesa e Gostivarit vazhdon të jetë në pengmarrje derisa dy koncepte mbajnë peng zhvillimin e Gostivarit. Këto dy koncepte janë koncepte individësh, dhe për shkak të këtyre dy individëve e kemi peng Gostivarin. Edhe gjatë fushatës kemi thënë se Gostivari duhet të çliroht nga ajo e pavërtetë. Besoj se popullata e di shumë mirë se për kë e kam fjalën. Edhe figurat e reja që dalin në sipërfaqe vazhdojnë të përkrahin këto dy individë. Kjo duhet të marrë fund, pasi boll ishte me këto dy individë. Nuk dëshirojë të them emra, pasi ata që pak kuptojnë politikën, e dinë se për cilin e kam fjalën”, tha Memedi.

Memedi vazhdoi të thotë se pa mos u thënë e vërteta për Gostivarin, ky qytet nuk mund të zhvillohet, dhe sipas tij prandaj ata kanë dalë në zgjedhje si parti me djalin e dëshmorit, Shpend Iseini, Shapt Iseinin, duke lënë të nënkuptoheet se e vërteta për Gostivarin ka të bëjë me ngjarjet tragjike të vitit 1997 që ndodhën në Gostivar.

“Ne nuk i fituam zgjedhjet, por fituam me garimin e Shpat Iseinit. Unë nuk e shoh fitoren se kush i fitoi zgjedhjet në Gostivar, por fitore për mua është kur të thuhet e vërteta për këtë qytet”, tha më tej Memedi.

Kreui i RDK-së, tha se do të vazhdojë të kërkojë të vërtetën për këtë qytet, qoftë edhe pas 20 vitesh, por nënvizoi se kjo e vërtetë do të vijë shumë shpejtë.

“Për fat të keq dikush na ka furnizuar me informata të rrejshme dhe ne tani duhet ti zbërthejmë këto të pavërteta dhe të keqës që i është bërë Gostivarit”.

Ai tha se shteti bëhet gati të zbardhe gjithsejt 14 të “vërteta”, 12 që kanë të bëjnë me shqiptarët dhe dy me maqedonasit.

“E vërteta për Gostivarin, por jo vetëm duhet të dalë në sipërfaqe edhe me disa fenomene të tjera, pra janë dy fenomene maqedonase dhe 12 janë për shhqiptarët. Proceset ecin shumë mirë dhe këto të vërteta së shpejti do të thuhen. Dy fenomenet janë ajo mbi atentatin e presidentit të parë të Maqedonisë, Kiro Gligorov dhe me presidentin tjetër Boris Trajkovski. Shteti punon që këto të vërteta, 2 të maqedonaseve dhe 12 për shqiptarët, të dalin shpjetë në sipërfaqe. Do të shohim atëherë kush çfarë ka punuar dhe për kë ka punuar”, tha Memedi.

Memedi tha se shqiptarët duhet ta pastrojnë vetë oborrin e tyre, sipas tij, kjo pasi në bazë të të dhënave të tij, të pathënat për shqiptarët ose më mirë, tha ai, të vërtetat për shqiptarëve që u kanë ndodhur, kanë ardhur nga vet shqiptarët.

“Nuk flas që duhet individë të denoncojnë këto raste, por institucionet e shtetit, do ta bëjnë këtë për tu zbardhur e vërteta për Gostivarin dhe për të gjithë të tjera. E vëreta do të dalë nga brenda institucioneve të shtetit, e jo nga individë pasi kjo pastaj nuk do të ishte e besueshme. Së shpejti do të kemi hapa konkret për çrrënjosjen e të keqës që na ka ndodhur dhe për fenomenet që na kanë karakterizuar që nga pavarësia e Maqedonisë, gjithsesi se ka edhe të vërteta të tjera që duhet të zbardhen. Shumica e tanishme qeveritare ka guxim dhe do ta bëjë këtë”, tha Memedi.