Mbi 200 persona janë prekur nga gripi sezonal


Dyqind e dy raste të të sëmurëve nga gripi janë regjistruar deri para dhjetë ditëve në Republikën e Maqedonisë, theksohet në raportin të cilin në ueb faqen e tij e publikoi Instituti i Shëndetit Publik. Raporti i ri i të sëmurëve nga gripi nga ky Institut pritet në ditët në vijim, njofton Koha.

Numri më i madh i të sëmurëve janë të moshës prej 15-64 vjet, ndërsa incidenca më e madhe prej 14,5 në 100.000 banorë është regjistruar te personat e moshës mbi 65 vjet. Numër më i madh i të sëmurëve janë regjistruar në rajonin e Njësisë rajonale Gostivar dhe në qendrat për shëndet publik në Tetovë dhe Kumanovë.

Në sezonin 2018/2019 numri i përgjithshëm i të sëmurëve nga gripi është 1.218. Krahasuar me periudhën e njëjtë sezonin e kaluar kur ishin regjistruar 1.082 raste, ekziston rritje e numrit të përgjithshëm të rasteve të paraqitura për 12,6 për qind.

Nga fillimi i sezonit 2018/2019, në laboratorin e Institutit kanë arritur 45 materiale humane nga institucionet shëndetësore – nga pacientë të mjekuar në ambulanca dhe spitale nga mbikëqyrja e rregullt dhe sentinele, prej të cilëve dy (4,4 për qind) janë pozitiv në prani të virusit të influencës, një Influenza A/H3 dhe një Influenza A.