Mbështetje nga Kuvendi për propozim-ligjin për amnisti në lexim të parë


Propozim-ligji për amnisti dhe ndryshimet e propozuara të Ligjit për nëpunës të administratës, që të dyja në lexim të parë, pasdite morën mbështetje nga Kuvendi në kuadër të seancës së 27-të.

Zëvendësministri i Drejtësisë, Oliver Ristovski elaboroi se me Propozim-ligjin për amnisti duhet të lirohen nga vuajtja e dënimit me burg afërsisht 670 persona të dënuar në burg deri në gjashtë muaj, ndërsa për 3.097 persona të zvogëlohet dënimi për 30 për qind.

Ministria e Drejtësisë gjatë përgatitjes së ligjit i ka marrë parasysh kushtet në institucionet ndëshkuese-përmirësuese si institucione që duhet të mundësojnë dhe sigurojnë risocializim të suksesshëm të popullatës dënuese dhe të cilat, theksoi Ristovski, në mënyrë jokontestuese janë të mbingarkuara, kushtet për qëndrim nga organizatat ndërkombëtare janë vlerësuar si johumane, ndërsa rreziku nga infeksioni kriminel në institucionet ndëshkuese-përmirësuese është real. Për këtë shkak është vlerësuar se është i domosdoshëm miratimi i ligjit me të cilin një grup personash të dënuar me burg deri në gjashtë muaj për vepra të lehta penale do të lirohen nga vuajtja e dënimit. Për popullatën tjetër të burgut është parashikuar ulje e dënimit me përgjithshëm për 30 për qind përveç për veprat që me këtë propozim janë përjashtuar nga amnistia.

Deputetja e BDI-së, Mirsada Emini-Asani tha se e mbështesin ligjin, duke potencuar se me të, mes tjerave, do të realizohet edhe kursimi i mjeteve buxhetore, të cilat do të shfrytëzoheshin për përmirësimin e kushteve në institucionet ndëshkuese përmirësuese.

Siç theksoi Ristovski, me tekstin e propozuar të ligjit nuk parashikohet amnisti për persona të dënuar me dënim me burgim të përjetshëm, si dhe për kryerësit e veprës penale vrasje nga neni 123 i Kodit penal, vepra penale kundër zgjedhjeve dhe votimeve (neni 158-165-v) nga Kodi penal…

Me ndryshimet e propozuara të ligjit për nëpunës administrativ, mundësohet verifikim i diturisë për njohje të gjuhës së huaj gjatë punësimit në administratë të jetë në ngarkesë së shtetit dhe të hiqen dënimet nga vlerësimi në administratë publike, e cila, sipas ministrit dikasterial Damjan Mançevski, ka qenë një nga mekanizmat që shpesh është shfrytëzuar për presione politike.

“Me këtë japim porosi se presionet në administratë kanë përfunduar dhe se absolutisht nuk ka pasur për qëllim të merremi me revanshizëm politik”, tha Mançevski.