Mas fton qytetarët të votojnë të lirë më 30 shtator


Gjermania po vazhdon fuqishëm të përkrah Maqedoninë në rrugën e saj drejt BE-së dhe NATO-s. Ministri i jashtëm gjerman, Hajo Mas gjatë vizitës së tij zyrtare në Shkup theksoi se vendi ka përkrahje të parezervë në këtë udhëtim, jo vetëm në këtë moment, por edhe në përmbushjen e reformave që kërkohen nga BE.

“Ne jemi për perspektivën europiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, për anëtarësimin e tyre përfundimtar në NATO dhe BE. Kjo është e një rëndësie të veçantë për vendin dhe rajonin. Por, anëtarësimi në BE kërkon përmbushjen e shumë kritereve, e që kjo të ndodhë, ju duhet të përmbushni kushtin kryesor, referendumin. E ardhmja është në duart tuaja. Shfrytëzojeni! Më pas duhet të përqendroheni në shtetin juridik, luftën kundër krimit dhe korrupsionit”,- tha ministri i jashtëm i Gjermanisë, Hajko Mas.

E për refermat foli edhe shefi i diplomacisë së Maqedonisë, Nikolla Dimitrov, i cili tha se Maqedonia bëhet evropiane vetëm përmes reformave të thella në të gjitha sferat.

“Kur makineria e rëndë nga Brukseli të hyjë thellë në sistemin tonë, atëherë mund të flasim për europianizim të vendit. Ne çdoherë flasim për një Maqedoni europiane, por duke pritur në istikame, u përballëm me qytetarë që pajisen me pasaporta të shteteve të huaja, vetëm e vetëm sepse duan të jenë qytetarë të Europës”,- theksoi ministri i jashtëm, Nikolla Dimitrov.

Mas premton vazhdim të mbështetjes gjermane jo vetëm për reformat. Në këtë drejtim është edhe nënshkrimi i deklaratës për njohjen reciproke të lejeve të vozitjes si dhe diskutimi për prodhimet nga Maqedonia që mund të eksportohen në tregun gjerman.