Llalla: Republika Ilindenase e Maqedonisë emër shumë i rrezikshëm për shqiptarët

Historiani Arben Llalla theksoi për INA se propozimi i emrit në gjuhën shqipe Republika Ilindenase e Maqedonisë, nuk shpreh karakterin shumëetnikë të Maqedonisë, por tregon shtetin unitar.

“Mendoj se ky emër është shumë i rrezikshëm duke patur parasysh ngjarjet historike në lidhje me kryengritjen e Ilindenit të 1903 që kishte si synim kufirin e saj deri në Selanik dhe në Korçë. Emri Ilindeni ka një kujtesë të hidhur tek popullsia shqiptare pasi kryengritësit e Ilindenit masakruan shqiptarët mysliman dhe ortodoksë. Ishte pikërisht kryengritja e Ilindenit të 1903 që grekët dhe serbët të kryenin masakra edhe mbi popullsinë shqiptare të Maqedonisë Gjeografike.”, theksoi për INA, Arben Llalla.

Sipas tij, emri Ilindenase është më afër historisë bullgare dhe shpreh irredentizmit e tyre ndaj fqinjëve grek, serb dhe shqiptar. “Mendoj se nuk do gjejë përkrahje emri i propozuar Republika Ilindenase e Maqedonisë”, theksoi historiani dhe publicist Llalla. (INA)