Kuvendi në pushim, ligjet prioritare presin miratimin


Ndërkohë që Kuvendi po shfrytëzon pushimet për festa, ligjet pa të cilët do të vihet në pikëpyetje raporti pozitiv i KE-së janë lënë në “status-quo”. Dhjetëra ligje dhe propozime si ai për ndjekjen e komunikimeve, dëshmitaret e mbrojtur, informatorët, ligji për policinë dhe punë të brendshme, ndryshimet në kodin penal, ligji për prokurorinë publike, ai për informacione të klasifikuara dhe komunikime elektronike si dhe zgjedhja e gjykatësve kushtetues vazhdojnë të jenë peng i deputetëve. Juristët vlerësojnë se pushimet e deputetëve dhe të Kuvendit nuk i konteston askush, por edhe përgjegjësinë e tyre si përfaqësues të demokracisë nuk mund ta merr askush tjetër.

Nevojitet intervenim i shpejtë normativ dhe rregullator në çështjet e shoqërisë. Qeveria e kaluar në disa çështje shoqërore ka bërë kaos dhe të njëjtat duhet shpejtë të zgjidhen. Prandaj, në çdo kohë duhet treguar shkallë më e lartë e përgjegjësisë e punës së Kuvendit dhe punës së deputetëve. Mund të pushojnë, por duke mbajtur përgjegjësi për problemet shoqërore. Qytetarët nuk kanë kohë dhe nuk presin- deklaroi juristi Temellko Ristevski.

Ristevski vlerëson se shumica parlamentare në vend që të pushojë duhet të gjej gjuhë të përbashkët me opozitën për ligjet, miratimi i të cilëve varet nga 2/3 e votave.

Opozita duhet të jetë konstruktive. Pozicioni konstruktiv nënkupton punë dhe angazhim pozitës ndaj qëllimeve kushtetuese të vendit. Ato qëllime janë të përbashkëta si të atyre në pozitë si të atyre në opozitë- tha ai.

Në agjendën e Kuvendit, deri më 15 janar nuk është caktuar asnjë seance plenare. Paraprakisht, nga data 9 fillojnë me punë trupat parlamentare edhe përkundër se në ueb faqen e Kuvendit nuk ka një njoftim të tillë. Përveç neglizhencës nga deputetët, Kuvendi përballet edhe me mungesën e buxhetit për vitin 2018 dhe zgjedhjen e nënkryetarëve. /Alsat.