Kuvendi me 100 vota “për” zgjodhi anëtarët e KSHZ-së


Kuvendi i  Maqedonisë me 100 vota “pro” e bëri përzgjedhjen e kryetarit, nënkryetarit dhe anëtarëve të Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ).

Oliver Derkovski nga VMRO-DPMNE-ja është zgjedhur për kryetar të KSHZ-së, ndërsa Ditmire Shehu nga BDI-ja për nënkryetare. Elizabeta Postolovska nga VMRO-DPMNE-ja, Janakie Vitanovski, Boris Kondarko dhe Radica Risteska nga LSDM-ja, si dhe Enver Saliu nga Lëvizja BESA do të jenë anëtarë të KSHZ-së.

Përbërja e përkohshme e KSHZ-së është zgjedhur me shumicë prej dy të tretave dhe për të votuan edhe shumica qeveritare dhe VMRO-DPMNE-ja opozitare, siç u dakorduan paraprakisht.

Me përzgjedhjen e KSHZ-së, e cila është me mandat të përkohshëm krijohen kushte për organizimin dhe realizimin e referendumit të ardhshëm në vjeshtë për emrin.

Kuvendi në seancën e 56-të e miratoi nevojën për sjelljen e ndryshimeve dhe plotësimeve të Kodit zgjedhor, të Ligjit për Qeverinë e Republikës së Maqedonisë dhe të Ligjit për financimin e partive politike, të gjitha me procedurë të shkurtuar.

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi u bëri thirrje komisioneve amë t’i shqyrtojnë dhe të deklarohen për këto ligje, pas çka për ta do të votohet në seancën e 56-të paraprake, e cila duhet të vazhdojë në orën 19:00.

Debat nuk pati as për zgjedhjen e anëtarëve të KSHZ-së, e as për konfirmimin e nevojës për ndryshimet e tre ligjeve.

Kuvendi bëri përzgjedhjen e anëtarëve të KSHZ-së dhe e filloi procedurën për sjelljen e këtyre tre ligjeve sipas marrëveshjes të arritur nga partitë parlamentare, ndërsa paraprakisht edhe në takimin e liderëve ditën e hënë./mia