Kukësi nuk hesht, rinis protestën për lirimin e të arrestuarve


Në Kukës ka rinisur protesta për lirimin e të arrestuarve, ndaj të cilëve një ditë më parë gjykata vendosi masën e sigurisë arrest me burg për akuzat e shkatërrimit të pronës publike dhe kundërshtim të forcave të rendit.

Dje 11 prej të arrestuarve nga 23 gjithsej u lanë në arrest me burg, ndërsa për të tjerët gjykata vendosi arrest shtëpie dhe detyrim paraqitje.

Ndërkohë, komisioni organizativ i protestës së 31 marsit, i ngritur nga Këshilli Bashkiak i Kukësit shpreh vendosmërinë për vijimin e protestave deri në anulimin e plotë të tarifës në Rrugën e Kombit.

“Përshëndesim lirimin e një pjese të protestuesve të ndaluar nga policia dhe kërkojmë lirimin e personave të tjerë. Nga ana tjetër, nënvizojmë vendosmërinë tonë për të vazhduar lëvizjen paqësore deri në përmbushjen e qëllimit, heqjen e taksës në Rrugën e Kombit”, thuhet në një deklaratë për media të këtij komisioni.