KSHZ: Është anuluar votimi në shtatë vendvotime


Komisioni shtetëror zgjedhor në mbledhjen e sotme e anuloi votimin në shtatë nga 14 vendvotimet për të cilat ishin paraqitur ankesa. Janë anuluar votimet në dy vendvotime në Kavadar, dhe nga një në Qendër, Kumanovë, Ohër, Aerodrom dhe Zajaz. Shkak për shumicën e anulimeve është që në kutitë e votimit ka pasur më shumë fletë se numri i votuesve të regjistruar të cilët kanë votuar dhe janë nënshkruar në listat zgjedhore. Në këto vendvotime nuk do të rivotohet, sepse rezultati nga vendvotimet nuk ndikon në rezultatin përfundimtar. Të gjitha 14 ankesat ishin parashtruar nga përfaqësues të autorizuar të kandidates presidenciale Gordana Siljanovska Davkova.

Kryetari i Komisionit shtetëror zgjedhor, Oliver Derkoski theksoi se nga ankesat dhe nga ekspertiza në tërë materialin zgjedhor që si Komision e kanë bërë në disa vendvotime mund të shihet se ende një nga dobësitë më të mëdha në sistemin zgjedhor është cilësia e këshillave zgjedhor dhe se detyrë e parë e KSHZ-së në periudhën në vijim do të jetë të mundësojë edukim më të madh dhe më të vazhdueshëm të anëtarëve dhe zëvendësve të Këshillave zgjedhorë në mënyrë që të evitohen situatat e këtilla të padëshiruara.

“Në shumicën prej tyre mund të konfirmohet se nuk kemi kurfarë qëllimi, por se bëhet fjalë për punë pa përgjegjësi të këshillave zgjedhorë dhe se kjo duhet të sanksionohet. KSHZ në përbërje komplete e konstaton atë dhe pa menduar i ka konstatuar dobësitë dhe propozon shkarkim të këshillave zgjedhorë për përmirësimin e procesit zgjedhor dhe në rrethin e dytë të mos përsëriten gjërat e këtilla”, tha Derkoski.

Në një vendvotim në Ohër në listë të qytetarëve të cilët e kanë shfrytëzuar të drejtën e votës ka pasur 42 të regjistruar, ndërsa në kutitë e votimit 82 fletë. Në procesverbal ishte konstatuar se në fillim qytetarëve u janë dhënë nga dy fletë edhe për presidencialet edhe për lokalet, ndërsa u është thënë të nënshkruhen vetëm në listën për votim për kryetar komune. Ky numër ishte konstatuar edhe pas hapjes së materialit, pas çka votimi ishte anuluar.

Kiril Kovçegarski, përfaqësues i autorizuar i kandidates presidenciale Gordana Siljanovska Davkova e arsyetoi edhe ankesën për vendvotimin në Zajaz, ku tha, vetëm në periudhën prej orës 15:00 deri në orën 17:00 kanë votuar 297 qytetarë, që, siç tha, do të thotë se në çdo 24 sekonda ka votuar nga një qytetar.

KSHZ vlerësoi se kjo ankesë nuk është e rregullt dhe se nuk ka dëshmi, si dhe se ankesa hidhet poshtë në mënyrë formale juridike. Por, siç tha Derkoski, që të mos mbetet dyshim, si Komision sipas detyrës zyrtare e hapën materialin zgjedhor. Pas disa numërimeve dhe kontrollit në lista të personave të cilët kanë votuar, ishte konstatuar se në kutitë e votimit ka katër fletëvotime më shumë nga votues të regjistruar, pas çka edhe në këtë vendvotim ishte anulaur votimi.