Kreu i BFI, Sulejman Rexhepi: Zaev ta bën “tërbije” zëvendësin e tij, “teknefez” !


Kreu i BFI-së, Haxhi Sulejman Ef.Rexhepi i cili në një prononcim për Agjencinë e Lajmeve Zhurnal tha se inspektorati mundet në çdo kohë të viziton institucionin që drejton ai sepse punohet gjithçka në bazë të ligjeve të shtetit. Rexhepi thotë se obligimet ndaj shtetit i kanë kryer në bazë të ligjit. Ai thotë se deputeti që sot ka kërkuar një gjë të tillë, nuk ka pasur të drejtë sepse imamët vetfinancohen nga xhemati dhe këtë ashtu e përcakton ligji.

“Ne në Bashkësinë Islame obligimet tona që i kemi ndaj shtetit, i kemi kryer në bazë të ligjit. Inspekcioni kur të dojë le të vijë tek ne sepse ne nuk e kemi dert për atë punë, jemi të pastër.Por, së pari, duhet të dijnë se a kanë të drejtë ligjore apo jo. Në të vërtetë, ato kërkojnë për imamët, nuk punohet për punëtorët e Bashkësisë Islame por punohet për imamët. Atë të drejtë, ata fare nuk e kanë sepse imamët, vetëfinansohen prej xhematit, kemi raporte, informohemi. Gjithë këto janë sfera private dhe unë nuk e di ai zotëri se çfarë kërkon. Sa i përket atyre që janë në marrdhënie të rregullt të punës, ne nuk i kemi asnjë borxh shtetit”, shprehet Kreu i BFI-së.

Sa i përket akuzës se është arushë e mbrojtur nga shteti, Kreu i Bashkësisë Fetare Islame, Rexhepi thotë se dëshmi më e madhe sesa kur BFI ka qenë për 13 ditë e rrethuar me polic për të mbrojtur personat që ishin brenda nuk ka.

“Allah Allah”, po pse ai më prekë mua!? Unë me pas qenë i mbrojtur prej shtetit, vallahi nuk kishte guxuar askush të bëjë asnjë gjë. Argument se nuk jam i mbrojtur është se Bashkësia Islame për 13 ditë ka qenë e rrethuar me polici dhe ish-strukturat Qeveritare i mbronte ato njerëzit që ishin brenda, i siguronte për 13 ditë të plota. Kjo është argumenti më i madh se unë nuk kam qenë asnjëherë i mbrojtur nga shteti. Tani kjo struktura e re që unë kam pasur mendim që ndoshta do ta ketë atë masën që matë drejtë për të gjitha bashkësitë fetare, për fat të keq ai është zëvendës kryetar në partinë e tij, se nuk dua t’ia përmendë as emrin”, thotë H.Sulejman ef.Rexhepi.

Madje ai shprehet se të vetmin faj që ka bërë në jetë është se e ka falur deputetin Zekiri atëher kur e kishte paditur për shpifje në kohën kur punonte si gazetarë në Alsat-M.

“Unë kam një faj. Unë kur e kam paditur atë në gjyq kur ai punonte në Alsat-M, ngrita aktpadi për shpifje, dhe ai është i dënuar penalisht me 1 vit burg. Ai person ka pasur të paguaj dëmshpërblim prej 300 mijë eurove për autoritetin tim që ka shpifur ndaj meje, por mi lëshoi ca njerëz dhe për hatër unë e fala. Ky është gabimi im, që e kam falur.Ky person kishte qenë shumë “teknefez” në kondicion. Shumë pak kohë derisa ishte në televizion u pati përmirësuar, më ftonte në emisione e më pastaj u largua edhe nga struktura kombëtare edhe nga ajo fetare. Ai mund të jetë qytetar i Maqedonisë por nuk është i joni.Unë nuk kërkoj nga askush që të më tolerojë mbi ligjin sepse atë punë asnjëherë nuk e veproj, ajo që është ligj është ligj, ajo që është e drejtë është e drejtë. Ligjin diskriminues e sulmoj, mirëpo e respektoj derisa të hiqet nga ajo. Qëndrimet tona janë shumë transparente”, thotë ai.

Kryetari H.Sulejman Ef Rexhepi fton kryeministrin Zaev që ta bënë “tërbije” zëvendësin e tij sepse në të kundërtën nuk do jetë puna mirë.

“Atë e mundon se unë si personalitet publik jam i dekoruar nga Presidenti shqiptar dhe unë kur do të vdes, do të vdes me fytyrë të bardhë. Kjo i mundon këto njerëz të fëlliqur dhe mundohen të meren me shpifje. Nuk është në rregull kjo punë sepse shkakton pakënaqësi në nivel të Republikës. Muftinitë kanë kërkuar takim urgjent sepse duan ta bëjnë tërbije ose nuk del puna mirë. Ne presim ti evitojmë problemet që na mundojnë, të hyjmë në NATO, të del referendumi i suksesshëm. Ku ka referendum të suksseshëm nëse BFI e kundërshton këtë referendum? Tash unë nuk e di pse nuk e bëjnë tërbije këtë njeri që vazhdimisht po shpifë. Zaev ta bën tërbije zëvendësin e tij”, shprehet në bisedën për Zhurnal, kryetari i BFI-së, Reis Ulema H.Sulejman ef.Rexhepi.