Jetë me ajër të pastër apo jetë për ndotësit


Robert Nesimi

Në Maqedoni e mira publike shpesh ka qenë viktimë e interesave speciale të një grushti njerëzish, që të padënuar kanë shkelur mbi interesin publik për t’u pasuruar në kurriz të tjerëve. Ky fenomen ishte posaçërisht i theksuar në dekadën e fundit, me qeverinë e mëparshme, e cila zakonisht merrte çdo gjë që i hudhte syrin. Një përjashtim i rrallë kur ajo duhej të tërhiqet ishte rasti i ndotjes së ajrit në Tetovë dhe më gjërë në Pollog, ku mbyllja e ndotësit më të madh – Jugohromit shënoi fitore të rrallë të rezistencës publike ndaj qeverisë atëherë të gjithfuqishme. Ajo ishte dhe indikator i ngjarjeve të mëtutjeshme, gjegjësisht shembull se çfarë mund të bëjë një qytetari energjike dhe aktive. Mu për këtë është shqetësuese që qeveria e tanishme sikur ka dëshirë të vazhdojë aty ku u ndal e kaluara.

Për të rezimuar ngjarjet e viteve të kaluara, Pollogu gjatë kohë ishte pjesa më e ndotur e vendit, madje edhe në Europë, edhepse është rajon i bekuar nga natyra. Siç di çdo banor i rajonit dhe siç treguan më vonë shifrat zyrtare, një pjesë e madhe e ndotjes vinte nga një ndotës i vetëm – fabrika Jugohrom. Me ligj ajo ishte detyruar të vendosë filtra në oxhaqet e saj deri në vitin 2014. Por edhepse punonte me fitime marramendëse, fabrika nuk respektoi afatin, ndërsa më pas shteti rregullisht vazhdoi t’i jepte zgjatje të afatit. Edhe pse me ligin e ri kërkoheshin standarde të përcaktuara ekologjike, Jugohromi vazhdoi të sillet sikur nuk ka ndodhur gjë, sepse realisht nuk pati ndonjë shtypje për të vepruar ndryshe.

Përderisa Pollogu vazhdonte të ndotej, e Qeverisë nuk i hante fare palla, u bë e qartë se ndonjë zgjidhje eventuale mund të vinte vetëm nga vetë qytetarët. Sfidën fillimisht e pranoi një grup aktivistësh të njohur si Ecoguerilla. Ngjarje pas ngjarjes ata punuan në ngritjen e vetëdijes për ndotjen enorme, të ndihmuar edhe nga teknologjia moderne që për shembull i jepte çdokujt mundësi që nëpërmjet një aplikacioni të kontrollonte nivelin e ndotjes në çdo moment. Protestat publike u rritën e u shtuan, derisa protesta e fundit në Tetovë arriti shifra të papara për ndonjë çështje ekologjike në Maqedoni. E kjo preku partitë në pushtet aty ku mund t’i dëmtonte – tek votat. Nën shtypje të tillë publike Qeveria nuk pati rrugëdalje tjetër përpos të urdhërojë Jugohromin të punojë sipas ligjit, gjegjësisht të mbyllë fabrikën derisa të plotësojë standardet e kërkuara. Ndotja me grimcat PM u zvogëlua për 60% (në verzionin anglisht dhe maqedonisht të tekstit gabimisht është theksuar shifra 30-40%), që vërtetoi se Jugohromi vërtetë ka qenë ndotësi më i madh.

Por ngjarjet e fundit tregojnë se Qeveria e re nuk ka humbur shumë kohë për t’iu kthyer shprehive të vjetra të të bërit biznes në Maqedoni. Tani duket se ajo që në fillim të mandatit ju ka bërë oferta të pahijshme ose në rastin më të keq kërcënime direkte aktivistëve të Ecoguerilla, për të arritur marrëveshje që Jugohromi të fillojë me punë para kohe. Është dëshpërues fakti që oferta e tyre nuk është aspak më e mirë se ajo që tentoi të bëjë Qeveria e mëparshme. Me arsyetimin se Jugohromi punëson shumë njerëz nga regjioni, ajo parasheh mundësinë që fabrika të fillojë me punë menjëherë, ndërsa filtrat të vendosen paralelisht.

Ky propozim është i tmerrshëm dhe plot mangësi. E para, Jugohromi duhej t’i vendoste filtrat vite më parë dhe duhej të merret me këtë punë në vend se të kërkojë mënyra si të anashkalojë standardet ekologjike. Nëse vërtetë ishte i shqetësuar për ndotjen dhe shëndetin publik, siç duhet të jetë çdo kompani e vetëdijshme, Jugohromi do t’i kishte vendosur filtrat qëmoti dhe tani veçmë do të punonte pa ndotur ajrin. Vetë fakti që zvarrit procesin aq gjatë dhe sot flasim për mundësi filtrat të vendosen paralelisht me hapjen, tregon se Jugohromi asnjëherë nuk ka qenë partner i ndershëm dhe duhet të trajtohet si i tillë edhe tash. Ndërsa fakti që Qeveria është partner i gatshëm në këtë propozim tregon se as asaj nuk duhet t’i zëmë besë.

E dyta, është e pahijshme të keqpërdoret tema e ndjeshme e papunësisë për t’i mundësuar dikujt të fitojë duke ndotur dhe rrezikuar shëndetin publik. Pa marrë parasysh sa persona mund të punësojë Jugohromi, numri është tejet i vogël karshi 200.000 banorëve të Pollogut që duhet të jetojnë me helmin e tij. Për shembull të dhënat tregojnë se numri i fëmijëve me sëmundje respiratore në regjion ka qenë dy herë më i madh kur ka punuar Jugohromi, ndërsa është ulur përgjysmë sapo fabrika u mbyll. Tani duket sikur Qeveria na thotë se është në rregull të helmosh me mijëra fëmijë, nëse punëson qindra njerëz. Por nëse papunësia na qenka mbi çdo gjë, atëherë duhet të lejojme çfarëdo lloj kriminaliteti dhe aktiviteti joligjor, nëse kjo do të thotë hapje të vendeve të reja të punës.

Pa marrë parasysh se ç‘janë planet e Qeverisë, jam i sigurtë se banorët e Pollogut nuk do të lejojnë t’iu merret fitorja ndaj regjimit të mëparshëm. Qasja e vetme racionale tani është të vazhdohet me planin fillestar. Jugohromi nuk duhet të ketë trajtim të posaçëm, duhet të respektojë ligjin si çdo Kompani tjetër dhe të vendosë filtrat e nevojshëm para se të rifillojë punën. Pasi Qeveria ka konflikt interesash, për shkak të papunësisë apo ndonjë marrëveshjeje tjetër të errët, ajo nuk është arbitër i paanshëm dhe i besueshëm në këtë rast. Prandaj fjala e saj nuk duhet të jetë përfundimtare dhe ajo duhet të lejojë inspektim plotësues nga ekspertë të pavarur ndërkombëtarë, që duhet të verifikojnë nëse standardet vërtetë janë plotësuar. Përndryshe do t’a dijmë se regjimi akoma është i gjallë, me disa fytyra të reja politike dhe fytyrat e vjetra të oligarkëve.