Ja lideri dhe “frontmenët” e tjerë të BESËS që mund të zgjidhen sot në Kongres?


Deputeti dhe sekretari i deritanishëm, Afrim Gashi do të zgjidhet lider i ri i Lëvizjes BESA. Lajmi bëhet i ditur për INA nga burime partiake, duke theksuar se ai është kandidatura më e pranueshme dhe më unifikuese brenda kësaj partie.

Mbi 500 delegatët e fraksionit që përkohsisht udhëhiqet nga Nexhbedin Kahremani do të vendosin se kush do të kryetari i ardhshëm i kësaj partie dhe drejtuesit e posteve të tjera.

Po ashtu sipas burimeve partiake për INA, në postet e nënkryetarëve të partisë pritet të jenë Zekirija Ibrahimi, Nexhbedin Kahremani, Arben Labënishti, Blerim Sejdiu, por edhe emra të tjerë nga degët e tjera. Ndërsa në postin e sekretarit gjeneral pritet të zgjidhet Skender Rexhepi-Zejd ose Blerim Sejdiu.

“Pak a shumë dihen frontmenët e BESËS dhe ata që mund të rikthejnë fuqishëm duke unifikuar subjektin e ndarë. Në anën tjetër janë vetëm disa akrobatë dhe interesxhinjë që s’kanë lënë parti pa ndërru. Ne besojmë se jemi ideatorët e kësaj lëvizje dhe do ta dëshmojmë këtë”, theksoi një përfaqësues i lartë i kësaj partie.

Por nga ana tjetër, zyrtarisht këto zëra janë mohuar nga shërbimi për informim i këtij krahu të Lëvizjes BESA. Megjithatë gjatë ditës do të zbardhet edhe ekipi drejtues i kësaj partie, që në fillim të këtij viti u përfshi në përçarje të thellë në dy grupime.