Ivanov vazhdon të tregohet kokëfortë


Kryetari i shtetit Gjorgje Ivanov në takimin e sotëm me përfaqësuesen e lartë të BE-së Federika Mogerini, e ka përsëritur qëndrimin e tij se i përkrah integrimet euroatlantike të Maqedonisë, por se “BE dhe NATO nuk duhet të jenë alibi për një marrëveshje të keqe.

Ivanov, siç njoftojnë nga kabineti i tij, ka porositur se “qëllimet strategjike nuk duhet të keqpërdoren në llogari të interesave kombëtare dhe interesave të qytetarëve maqedonas”.

“Qëndrimi im nuk ka ndryshuar. Qëllimi strategjik i Republikës së Maqedonisë është anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe në NATO, por BE dhe NATO nuk duhet të jenë alibi për një marrëveshje të keqe me të cilin do të hapen më shumë çështje se sa që do të mbyllen”,  ka thënë Ivanov në takimin me Mogerinin.