(Intervistë) Timonie: Rusia nuk ka pse ta pengojë anëtarësimin e Maqedonisë në NATO!


“Aleanca është ndërtuar rreth vlerave të përbashkëta demokratike. Rusia nuk do të kishte asnjë arsye që do të mund të ngjallte kundërshtimin e saj, kuptohet nëse ka, sepse siç thekson edhe ajo, shpreh dëshirën për ta parë këtë rajon si një hapësirë bashkëpunimi. Le t`i marrim si të qena këto fjalë! Në rast se Shkupi plotëson kushtet për pranim, që do të thotë se merr edhe unanimitetin pozitiv të anëtarëve në favor të këtij pranimi, nuk mund të ketë asnjë veto nga jashtë që do të kishte ndikimin e saj”, thotë mes tjerash ambasadori francez Timonie, në intervistën për Gazetën Lajm.

Në intervistën për Gazetën Lajm, ambasadori francez në Shkup, Christian Timonier theksin e vendos te procesi i negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, si dhe në ecjen e procesit reformues. Ai garanton përkrahjen e plotë të Francës për procesin eurointegrues të Maqedonisë.

Në disa pyetje përgjigjet me “doreza diplomatike”, siç është pyetja për Ligjin për përdorimin e gjuhëve, por në shumë prej tyre është mjaft i drejtpërdrejtë. Ai thotë se procesi i anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe BE duhet të varet nga vetë vendi, e jo nga vetoja e ndonjë shteti tjetër.

Z. Ambasador, jemi në fillim të vitit. Çka mendoni se do ta shënojë vitin 2018 në Maqedoni? Pas rënies së qeverisë VMRO-BDI, e cila dhjetë vite stagnoi në procesin e integrimit, Maqedoni papritmas gjendet në fazën më optimiste për zgjidhjen e çështjes së emrit dhe për anëtarësim në NATO. A mendoni se ky optimizëm është i bazuar? Cili është roli i Francës në këtë proces. A po ndihmon Franca në zgjidhjen e çështjes së emrit dhe nëse po në çfarë mënyre po e bën atë? Çka mund të ndodhë nëse eventualisht deri në qershor nuk gjendet zgjidhje ashtu siç është paralajmëruar? Çka e pret në atë situatë Maqedoninë?

Timonie: Viti është me të vërtetë tejet i rëndësishëm, por duke pasur parasysh disa agjenda politike ka të ngjarë të mos shihet si i favorshëm dhe i volitshëm për ca kohë. Duhet të jemi të vetëdijshëm dhe të përpiqemi nga të gjitha anët për të arritur në një proces, fundi i të cilit tani duket i realizueshëm. Le të mos harrojmë se bëhet fjalë për një proces të afrimit në një terren, i kryer me diskrecion nga përgjegjësit e të gjitha niveleve, e që mundësuan zhvillimin e interesave objektive të përbashkëta. Ata ekzistojnë dhe do të ekzistojnë gjithmonë për të çuar drejt një zgjidhjeje. Por para nesh sot ne kemi një vullnet politik i cili, nga secila anë, me guxim, ka krijuar një klimë pozitive dhe ka rigjallëruar një proces të bllokuar. Franca në samitin e Lublanës në vitin 2013 theksoi përmes presidentit Holand gjithë interesin e saj për mënjanimin e bllokimit të integrimit të vendit në Bashkimin Evropianç kjo është gjithashtu edhe një perspektivë e rajonit, me ç`rast edhe presidenti Makron e bëri të qartë në fjalimin e tij programatik për rigjallërimin evropian, në fjalimin e tij të mbajtur në muajin shtator në Sorbonë. Ne kujtojmë këtu edhe përfshirjen e Fransua Leotardit ose Alen Le Ruas, dhe natyrisht të Robert Badinterit, në drejtim të asaj që ky shtet të ekzistojë. Vendosmëria dhe miqësia jonë mbeten të paprekura, përderisa në këtë vit ne shënojmë edhe 25 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve tona diplomatike.

Nëse emri zgjidhet, a mund të paraqitet në ndërkohë ndonjë pengesë tjetër sipas jush që mund të pengojë anëtarësimin e Maqedonisë në NATO? A duhet ët frikohemi nga ndonjë tentim për skenar siç kishte në Mal të Zi? Si do të jetë sjellja e Rusisë sipas mendimit tuaj, nëse Maqedonia anëtarësohet në NATO?

Timonie: Njëqind vjet pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, e cila ishte një katastrofë për Evropën, nuk duhet ta shndërrojmë Ballkanin në një fushë të paarsyeshme të konkurrencës, ndërkohë që interesi i mirëkuptuar i të gjithëve është stabiliteti dhe zhvillimi. Aleanca në doktrinën e saj është mbrojtëse, me qëllim sigurimin e anëtarëve të saj. Në parim, Sekretari i Përgjithshëm e përmendi këtë edhe në fjalimin e tij në Parlamentin e Shkupit, duke u shprehur se Aleanca është ndërtuar rreth vlerave të përbashkëta demokratike. Rusia nuk do të kishte asnjë arsye që do të mund të ngjallte kundërshtimin e saj, kuptohet nëse ka, sepse siç thekson edhe ajo, shpreh dëshirën për ta parë këtë rajon si një hapësirë bashkëpunimi. Le t`i marrim si të qena këto fjalë! Në rast se Shkupi plotëson kushtet për pranim, që do të thotë se merr edhe unanimitetin pozitiv të anëtarëve në favor të këtij pranimi, nuk mund të ketë asnjë veto nga jashtë që do të kishte ndikimin e saj.

Franca është kontribuesi i tretë më i madh i NATO-s me buxhetin në fushën e mbrojtjes, ndërsa sa i përket përqindjes së Bruto prodhimit të brendshëm, ajo gjendet mbi shumicën e vendeve të tjera të BE-së. Së bashku me Gjermaninë, kontributi ynë është i barabartë me atë të Shteteve të Bashkuara. Prandaj ne kemi arsye të jemi të vëmendshëm ndaj evolucionit të Aleancës. Konstatojmë dhe i vlerësojmë me simpati përpjekjet e modernizimit të ushtrisë maqedonase: delegacioni francez, i cili erdhi rishtazi për të rifilluar dialogun tonë strategjik, u impresionua nga vullnetarizmi i ministres dhe shërbimeve të saja.

Kemi gjithashtu edhe interesin e ripërtërirë dhe të rishprehur të vendit, për t’u bashkuar me ne në operacionet paqeruajtëse në kuadër të Kombeve të Bashkuara, andaj ne do t’i mirëpresim praktikantët dhe pjesëmarrësit nga Maqedonia për këtë qëllim.

A mund të bëni ndonjë parashikim se në çfarë intervali kohor përafërsisht Maqedonia mund të bëhet anëtare e BE-së, pas zgjidhjes së emrit dhe anëtarësimit në NATO? Ne këtu aq shumë jemi bezdisur dhe dëshpëruar duke pritur sa që shpeshherë themi se kur të bëhet Maqedonia të anëtarësohet në BE, atëherë BE do të shpërbëhet?

Timonie: Është e pamundur të jepen data dhe parashikime: rruga është në duart tuaja. E kaluara ka treguar se mund të ketë regrese dhe hapa mbrapa, me kushtëzimet e shtuara në vitet e fundit, si dhe përshpejtime që vendi vetëm se i kishte njohur në hapërimin fillestar në procesin, krahas vendeve të tjera të rajonit. Është e rëndësishme që çdo vend vlerësohet në bazë të meritave të veta dhe të gjendjes aktuale të reformave, por edhe në bazë të vullnetit për mbajtur qasjen e progresit rajonal në bazë të pajtimit dhe bashkëpunimit rreth interesave të përbashkëta. Në fund të fundit, do të jenë qytetarët në Francë ata që do të votojnë përmes referendumit apo votimit parlamentar: Ata do të gjykojnë dhe vlerësojnë, nëse konsiderojnë se vendet kandidate mund të hyjnë në sovranitetin e përbashkët dhe të deleguar të BE-së. Kjo kërkon shumë përpjekje, për të hequr imazhin e luftës, korrupsionit dhe prapambetjes që mbeten të mishëruara me rajonin. Presidenti Makron megjithatë theksoi shumë qartazi në muajin shtator në Sorbonë, se nuk do të ketë ndërtim të përfunduar evropian pa integrimin e këtij rajoni. Ne, francezët, do të ju shoqërojmë pa mëdyshje në këtë rrugë.

Si mendoni se do të jetë sjellja e opozitës gjatë procesit të zgjidhjes së emrit?

Timonie: Opozita dhe të gjithë faktorët relevantë duhet të integrohen në shkallë të ndryshme për një zgjidhje të pranuar gjerësisht në interesin kombëtar. Negociatat kërkojnë diskrecion që nuk duhet të kontestohet, por ekziston një moment kur rezultatet duhet të ndahen dhe të vlerësohen së bashku, në mënyrë që secili aktor i ligjshëm të marrë përgjegjësinë e vet. Kjo duhet të jetë një mundësi për të ndërtuar besimin midis palëve të interesuara në vend, siç janë: kryetari, qeveria, shumica, opozita … Ky proces duhet të jetë konstruktiv dhe pa polemika, gjë që nuk përjashton diskutimet politike cilësore deri në fund.

Në opinion, por edhe në mesin e politikanëve qarkullojnë variante të ndryshme lidhur me mënyrën se si duhet të ndryshohet emri, nëse palët negocioatore arrijnë marrëveshje. Sipas mendimit tuaj si diplomat që gjatë kohë jeni në Ballkan, është më mirë për Maqedoninë që kjo të bëhet me referendum, apo në Kuvend?

Timonie: Kuptova nga deklaratat e kryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme se referendumi ishte i mundshëm dhe i privilegjuar. Në çdo rast, ndërtimi i konsensusit më të gjerë të mundshëm është i dëshirueshëm, në mënyrë që referendumi të mos shndërrohet në një moment thyerjeje, por një moment bashkimi për të ardhmen evropiane të vendit.

Çfarë mendimi keni për kursin reformues të qeverisë? Apo vazhdon ashtu siç ishte paralajmëruar, apo ka ndonjë ngecje sipas jush?

Timonie: Qeveria me ndihmën evropiane ka përgatitur një axhendë ambicioze dhe dinamike, pa qenë në gjendje të kuptojë kompleksitetin dhe vështirësinë e çështjeve dhe sfidave. Zëvendëskryeministri Osmani me një bindje të pashoq i prezantoi partnerëve të vendit synimet dhe hapat e para të autoriteteve të reja. Të gjitha shtetet evropiane e kanë mirëpritur dhe përshëndetur klimën e re. Ky ka qenë një sukses i vërtetëç Tani, pas vrapimit të suksesshëm “njëqind metërsh”, kemi hyrë në garën vrapimit në distancë të mesme, për të arritur deri tek heqja e kushtëzimeve dhe hapja e negociatave. Ky stad do të jetë edhe fillimi i maratonës … Një diskutim konstruktiv dhe i përhershëm për çështjet kryesore të reformës, siç janë: drejtësia, administrata, shërbimet e sigurisë, është në rrjedhë (vijim) e sipër.

Në Maqedoni kemi një qeveri të re, por me bagazh të madh të trashëguar nga qeveria e kaluar. A ekzistojnë tentime për pengim të reformave nga ana e atij “bagazhi” prej qeverisë së kaluar, duke pasur parasysh se po zgjerohen numerikisht elementet e qeverisë së kaluar në qeverinë aktuale? A janë të mundshme reformat me bagazh të tillë?

Timonie: Nevojitet drejtësi për të krijuar stabilitetin, por edhe stabilitet për të krijuar drejtësinë. Nga qeveria aktuale po zhvillohet një proces i reformave, që i përgjigjet një kërkese të përgjithshme të shoqërisë, duke përfshirë këtu të gjitha bashkësitë. Le t`i japim kohë dhe le t`i ndihmojmë ata që kanë hyrë në këtë proces të vështirë, sepse reformat natyrisht janë objekt i presionit të të gjitha llojeve. Në anën evropiane, ne kemi raportin e Pribes, të standardeve të larta dhe me një nivel të lartë të kërkesave. Po monitorojmë zbatimin e këtij raporti me një kujdes të vazhdueshëm, veçanërisht në çështjen e trajnimit dhe përzgjedhjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve, ngase ndërhyrja politike është tentim i përhershëm, duke përfshirë edhe shkrimin e vendimeve (teksteve) të “porositura”. Ne duhet t’i zgjidhim çështjet e së kaluarës dhe në të njëjtën kohë të përgatisim një të ardhme të ndryshme.
Si e komentoni frymën e re në raportet Shkup-Athinë, raporte që kulmuan me takimin e kryeministrave Zaev-Cipras dhe deklaratat që dalin pas ketyre takimeve? A mund të themi se kontesti 27 vjeçar se shpejti do të jetë e kaluar?

Timonie: Metrat e fundit të negociatave janë më të vështirat. Duhet realizëm dhe cilësi burrështetasi tek udhëheqësit dhe përgjegjësit e negociatave, por edhe në opozitë, si dhe një pjekuri që, nga secila anë, tejkalon sfidat politike. Në secilin shtet do të duhen shpjegime dhe një qasje gjithëpërfshirëse. Në fund, vendimi duhet të sjellë stabilitet, lidhje rajonale dhe ndërkombëtare, por mbi të gjitha, të hapë perspektiva të reja për zhvillim. Kjo është një mundësi e mirë për të dëshmuar një sistem politik funksional në këtë vend, përtej zgjidhjes së çështjes së emrit. Ky do të ishte gjithashtu edhe një element i rëndësishëm vlerësimi për ata që do të duhet të prononcohen për integrimin në BE dhe në NATO.

Patët një deklaratë ku that se ka shum vend për përmirësim në Ligjin për gjuhët. Në çfarë drejtimi ishte kjo deklaratë? Ka vend për përmirësim në drejtim të zgjerimit të përdorimit të gjuhës shqipe, apo në drejtim të kundërt?

Timonie: Me duket se është një tekst i rëndësishëm që nuk duhet të përfaqësojë një çështje thjeshtë elektorale: çështja duhet të diskutohet në bazë të procedurave që do të mundësojnë një dialog të vërtetë në mirëbesim ndërmjet partive kryesore. Unë doja të tërheqja vëmendjen e të gjithë aktorëve në jetën demokratike që funksionimi normal i institucionit parlamentar do të jetë një test provues për integrimin evropian. Ky aspekt nënkupton një dialog konstruktiv mes palëve, pa manipulimin e procedurave të miratimit dhe pa obstruksione sistematike, sepse nuk na duhet një “27 prill” i përhershëm. Duhet të gjejmë zgjidhje praktike që e bëjnë jetën më të lehtë për të gjithë, pa krijuar tensione dhe shpenzime të panevojshme. Do të doja që ne të punonim rreth çështjeve që i bashkojnë komunitetet (bashkësitë) dhe që ndihmojnë të rinjtë të gjejnë punë. Kemi një takim më 1 shkurt me zëvendësministrin e Arsimit, z.Arbër Ademi, i cili ka një perspektivë pragmatike dhe evropiane në çështjet që si temë kanë integrimin e të rinjve, e që janë prioritet i bashkëpunimit tonë.

Kosovën dhe rajonin e ka tronditur një vrasje politike, e politikanit serb Oliver Ivanoviq? A mendoni se ekziston rrezik për tentime për destabilizim të situatës së sigurisë në rajon dhe përhapje të atij destabilizimi eventualisht edhe në Maqedoni?

Timonie: Vdekja e Oliver Ivanoviqit më tronditi thellë sepse e njihja nga afër, edhe atë gjatë kohës kur isha në postin tim të mëparshëm në Beograd. Ai ishte një njeri shumë inteligjent dhe mund të ndihmonte shumë për dialog. Ai kishte prekur me guxim çështjet që kishin të bënin me “mafian” (e që vlejnë për të gjithë Ballkanin Perëndimor) dhe interesat që nuk kanë interes për normalizim. Situata në Maqedoni për fat të mirë është e pakrahasueshme në planin politik, por ne duhet të mbetemi vigjilentë para krimit të organizuar, i cili është një oktapod pa kufij. Ministria e Brendshme, të cilën ne e mbështesim nëpërmjet bashkëpunimit tonë dypalësh, ka nisur me vendosmëri të re veprime dhe aksione që unë i përshëndes. Zbulimi i fundit i laboratorit të drogës në Tetovë na detyron të reflektojmë më shumë. Duhet më tepër mobilizim kombëtar dhe më shumë bashkëpunim ndërkombëtar, në mënyrë që të na mundësojë të veprojmë. Besueshmëria e shteteve të rajonit është në sprovë, duke pasur parasysh rreziqet e infiltrimit në politikë përmes krimit të organizuar. /Lajmpress